Profesorët e UIBM mbajnë trajnimet mbi Open Badges në kuadër të projektit Erasmus+ QA-SURE
Në prill 2025, në kuadër të projektit Erasmus+ QA-SURE, në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u organizua një seri trajnimesh me qëllim forcimin e njohurive të studentëve rreth sigurimit të cilësisë (QA) në arsimin e lartë dhe prezantimin e konceptit inovativ të Open Badges – mjete digjitale që njohin dhe vlerësojnë aftësitë dhe arritjet individuale.
Sesioni i parë u zhvillua me studentët e Fakultetit të Edukimit, ku trajnimet u mbajtën nga Prof. asoc. dr. Merita Shala, Prof. ass. dr. Filloreta Kunoviku Demiri dhe Prof. Fatbardha Hoxha. Këto trajnime u fokusuan në njohjen e studentëve me përdorimin e Open Badges dhe rëndësinë e tyre në mbështetjen e zhvillimit personal e profesional përmes certifikimit digjital të kompetencave.
Më pas, trajnime të ngjashme u organizuan edhe për studentët e Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit Juridik. Për studentët e Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit Juridik, trajnimet u mbajtën nga Prof. ass. dr. Filloreta Kunoviku Demiri dhe Prof. ass. dr. Zahir Cerkini. Këto trajnime interaktive nxitën studentët të kuptojnë parimet e sigurimit të cilësisë dhe të aplikojnë konceptin e Open Badges në kontekste praktike akademike.
Kursi me titull “University Quality Assurance Strategies”, mbi të cilin u bazuan trajnimet, është i disponueshëm si burim arsimor i hapur (OER) dhe përbëhet nga pesë mësime gjithëpërfshirëse, përfshirë modulin “Practical Experience: Insights and Discussions.” Ky kurs ofron një përmbledhje të gjerë mbi menaxhimin e cilësisë (QM) dhe sigurimin e cilësisë (QA) në arsimin e lartë, duke mundësuar fleksibilitet për mësim të pavarur dhe në ritmin e vetë pjesëmarrësve.
Përmes këtyre mësimeve, pjesëmarrësit mund të eksplorojnë tema kyçe si kornizat institucionale të QA-së, vlerësimin e mësimdhënies dhe të nxënit, standardet e cilësisë në kërkim shkencor dhe strategjitë për përfshirje efektive në komunitet. Studentët fitojnë njohuri të vlefshme dhe mjete praktike për të forcuar praktikat e cilësisë brenda institucioneve të arsimit të lartë dhe për të kuptuar më mirë rolin e QA-së në zhvillimin akademik dhe profesional.


