Projekti QA-SURE i Erasmus+ prezentohet edhe në West Pomeranian University of Technology, Szczecin në Poloni
Në kuadër të aktiviteteve të diseminimit të projektit QA-SURE Erasmus+, përfaqësueset e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), Prof. Assoc. Dr. Merita Shala, koordinatore e projektit, dhe Prof. Ass. Dr. Filloreta Kunoviku Demiri, në Maj 2025 prezantuan projektin QA-SURE gjatë qëndrimit të tyre në West Pomeranian University of Technology (WPUT) në Szczecin, Poloni.
Prezantimi u zhvillua në kuadër të mobilitetit mësimdhënës Erasmus+, duke u fokusuar në objektivat dhe rezultatet kryesore të projektit QA-SURE, që synon forcimin e sistemeve të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe promovimin e kulturës së përmirësimit të vazhdueshëm në institucionet pjesëmarrëse.
Gjatë sesionit të diseminimit, profesoreshat prezantuan edhe platformën e trajnimeve me Open Badges, si një mundësi inovative që projekti QA-SURE ofron për zhvillimin profesional të stafit akademik dhe administrativ. Këto kurse kontribuojnë në përvetësimin e njohurive dhe aftësive të matshme digjitale, duke mundësuar njohjen ndërkombëtare të kompetencave të fituara në fushën e sigurimit të cilësisë.
Aktiviteti u prit me interes nga stafi akademik dhe studentët e WPUT-së, të cilët u njohën më afër me rezultatet e deritanishme të projektit dhe mundësitë që ofron për bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkëmbim të praktikave të mira në fushën e sigurimit të cilësisë.
Në takimet e zhvilluara me Prodekanen për Mësimdhënie dhe Sigurimin e Cilësisë, Prof. Dr. Anna Sworowska-Baranowska, si dhe me përfaqësues të Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare të WPUT-së, u diskutua për potencialin e zgjerimit të bashkëpunimit në kuadër të projekteve të ardhshme Erasmus+ dhe për shfrytëzimin e rezultateve të QA-SURE në ndërtimin e modeleve të reja të sigurimit të cilësisë.
Ky aktivitet diseminimi kontribuon në përhapjen e rezultateve të projektit QA-SURE dhe në rritjen e vizibilitetit të UIBM-së si partnere aktive në promovimin e standardeve evropiane të cilësisë në arsimin e lartë.


