Punëtori për hartimin e Planit të Veprimit për Barazi Gjinore të UIBM
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të hënën një punëtori për hartimin e Planit të Veprimit për Barazi Gjinore (2025-2028), me mbështetje të projektit HEI’25. Pjesë e punëtorisë, përveç menaxhmentit dhe Këshillit Drejtues të UIBM ishin edhe përfaqësues të Komunës së Mitrovicës, projektit HEI’25 etj.
Rektorja, prof.dr. Nurten Deva, ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe i ka falënderuar ata për kontributin e tyre në hartimin e këtij plani. Ndërsa, kryesues i grupit për hartimin e PVBGJ, prof. assoc. dr. Besim Gollopeni, theksoi se është bërë një punë e madhe dhe përkushtimi do të vazhdojë në mënyrë që të hartohet një plan që do të jetë i realizueshëm.
Edita Buçinca, menaxhere e projektit HEI’25, foli për mbështetjen që ky projekt ofron për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë dhe në këtë rast për UIBM. “Jemi të hapur të ofrojmë mbështetje, varësisht prej nevojave të institucioneve”, tha ajo.
Punëtorinë e ka udhëhequr eksperti, Ferdi Kamberi, ku fillimisht është diskutuar për profilin e PVBGJ dhe mandej për miratim e objektivave dhe aktiviteteve.



