Punëtori për rishikimin e Statutit të UIBM
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) të hënën është mbajtur një punëtori për rishikimin e statutit universitar. Në punëtori kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të programit SHER, që e kanë mbështetur me një eksperte ndërkombëtare rishikimin e statutit të UIBM.
Kryesuesi i grupit punues, zëvendëskryesuesi i KD-së, dr.sc. Avni Islami, ka hapur punëtorinë, duke falënderuar të gjithë anëtarët për angazhimin e tyre. Ai gjithashtu ka falënderuar drejtuesit e SHER-it për mbështetjen profesionale.
Nehat Dervishi nga SHER bëri me dije se tashmë kanë krijuar një përvojë të mirë sa i përket procesit të rishikimit të statutit më Universitetin e Prishtinës, që do të shërbej edhe për universitetet tjera. Ai theksoi se ata kanë filluar t’i mbështesin universitetet në këtë projekt me nismë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në mënyrë që universitetet të prodhojnë statute sa më të avancuara.
Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, shprehu falënderimin e saj për mbështetje nga SHER jo vetëm për rishikimin e statutit, mirëpo edhe për shumë projekte të tjera. Ajo tha se mbështetja është e mirëseardhur dhe gjithsesi pret një punë ekipore që do të rezultojë me sukses.


