Rektorja Deva ngushëllon familjarët dhe bashkëpunëtorët e akademikut, Minir Dushi
Të nderuar familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të akademikut, Minir Dushi, ju lus të pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, për ndarjen e tij nga jeta. Qëndrojmë afër jush në këto momente dhimbje dhe mërzie për familjarin tuaj dhe për profesorin e gjeneratave të shumta në insitucionet e arsimit të lartë në Mitrovicë dhe gjithandej vendit.
Jeta akademike në Mitrovicë është e ndërlidhur ngushtë me emrin e akademikut, Dushi. Ai ka qenë njeriu kryesor që ka bartuar barrën dhe përgjegjësinë e themelimit të Shkollës së Lartë Teknike në vitin 1961, duke mbajtur edhe pozitën e drejtorit që në fillim. Ai ka dhënë kontribut të madh për themelimin e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë, duke qenë edhe dekani i parë.
Akademiku, Minir Dushi, mbetet autoritet i shkencës në Kosovë. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm dhe i gjithanshëm. Emri i tij i bën nder secilit institucion dhe ndërmarrje ku ka punuar. Emri i tij i bën nder vendit!
U prehtë në paqe!
Me respekt,
Rektorja
Prof.dr. Nurten Deva
