Rektorja Deva priti në takim një delegacion nga Mitchell Hamline School of Law, Minnesota, SHBA
Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr. Nurten Deva e shoqëruar nga prorektori për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, prof.dr. Sabri Avdullahi dhe prof.ass.dr. Zahir Çerkini nga Fakulteti Juridik ka pritur në takim një delegacion nga Mitchell Hamline School of Laë, Minnesota, SHBA. Takimi është zhvilluar në kuadër të projektit që synon avancimin e edukimit juridik praktik dhe zhvillimin e një modeli funksional për Klinikën Juridike të Fakultetit.
Rektorja Deva i ka falënderuar mysafirët nga Mitchell Hamline School of Law për përfshirjen e tyre në këtë projekt. Ajo ka vlerësuar se ky është një projekt që tejkalon vetëm Fakultetin Juridik, duke pasur parasysh mundësitë për shkëmbime përvojash edhe për stafin akademik dhe studentët e UIBM.
Projekti ka nisur me iniciativën e prof.ass.dr. Zahir Çerkini, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë në bashkëpunimi me prof. Kim Vu – Dinh nga Mitchell Hamline School of Law. Projekti synon zhvillimin e një framework-u dhe programi funksional për Klinikën Juridike dhe Moot Court-in e Fakultetit Juridik, duke u mbështetur në përvojën dhe praktikat e edukimit klinik juridik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në kuadër të projektit parashihet zhvillimi i manualeve, udhëzuesve dhe dokumenteve praktike për organizimin dhe funksionimin e Klinikës Juridike, përfshirë rolin e studentëve dhe mbikëqyrësve akademikë, standardet e etikës dhe konfidencialitetit, menaxhimin e rasteve, dokumentacionin standard dhe mekanizmat për integrimin e punës klinike në procesin mësimor. Projekti do të përfshijë gjithashtu rekomandime për zhvillimin dhe avancimin e programit të Moot Court-it, me fokus në ngritjen e shkathtësive praktike profesionale të studentëve.Projekti është në përputhje të drejtpërdrejtë me Planin Strategjik 2026–2030 të Fakultetit Juridik, i cili parasheh integrimin e komponentëve praktikë, përfshirë klinikat juridike dhe Moot Court-in, si pjesë të modernizimit të mësimdhënies juridike.
