Fakulteti Juridik dhe Mitchell Hamline School of Law fillojnë bashkëpunimin për zhvillimin e Klinikës Juridike dhe edukimit praktik
Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë ka filluar një projekt bashkëpunimi me Mitchell Hamline School of Law nga Minnesota, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që synon avancimin e edukimit juridik praktik dhe zhvillimin e një modeli funksional për Klinikën Juridike të Fakultetit.
Bashkëpunimi është iniciuar nga Prof.ass.dr. Zahir Çerkini, profesor në Fakultetin Juridik të UIBM-së, në bashkëpunim me Prof. Kim Vu-Dinh, drejtuese e Economic Inclusion Clinic në Mitchell Hamline School of Law.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Prof. Kim, së bashku me studentët e saj, vizitoi Fakultetin Juridik, ku u prit nga Dekani Prof.dr.Islam Qerimi, Prodekanja Prof.ass.dr. Arta Dauti, Prof.ass.dr. Zahir Çerkini dhe studentët e Fakultetit Juridik.
Gjatë takimit u diskutua në mënyrë të veçantë zhvillimi i edukimit klinik juridik dhe mundësitë për të ndërtuar së bashku një framework dhe program funksional për Klinikën Juridike, duke marrë për bazë praktikat dhe përvojat e klinikave juridike universitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duke i përshtatur ato me nevojat e Fakultetit Juridik dhe sistemin juridik të Kosovës.
Palët diskutuan për strukturën dhe mënyrën e funksionimit të Klinikës Juridike, rolin e studentëve dhe profesorëve mbikëqyrës, aspektet etike dhe të konfidencialitetit, menaxhimin e rasteve, dokumentacionin standard, si dhe mënyrat përmes të cilave puna klinike mund të integrohet në mënyrë efektive në procesin mësimor.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua gjithashtu Moot Court-it dhe mësimit përmes simulimit të proceseve gjyqësore. Fakulteti Juridik tashmë organizon gara të gjykimit të simuluar, ndërsa synon avancimin e mëtejmë të këtij komponenti të rëndësishëm të edukimit praktik juridik.
Projekti pritet të rezultojë në zhvillimin e një Legal Clinic Framework, së bashku me manuale, udhëzues dhe dokumente praktike që do të mund të përdoren nga Fakulteti në organizimin dhe funksionalizimin e Klinikës Juridike. Bashkëpunimi do të trajtojë gjithashtu komponentin e Moot Court-it dhe lidhjen e tij me zhvillimin e shkathtësive praktike të studentëve.
Ky projekt ka rëndësi të veçantë për Fakultetin Juridik, duke pasur parasysh orientimin drejt fuqizimit të komponentit praktik në programin e studimeve. Ai lidhet drejtpërdrejt edhe me Planin Strategjik 2026–2030, i cili ndër objektivat kryesore parasheh zhvillimin e mësimdhënies juridike moderne, integrimin e komponentëve praktikë, përfshirë klinikat juridike dhe Moot Court-in, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë vizitës u diskutuan edhe mundësitë që ky projekt të shërbejë si bazë për bashkëpunim më afatgjatë ndërmjet Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Mitchell Hamline School of Law, përfshirë shkëmbimin e përvojave akademike dhe zhvillimin e iniciativave të tjera të përbashkëta në të ardhmen.
Fakulteti Juridik e vlerëson këtë bashkëpunim si një mundësi të rëndësishme për ndërkombëtarizimin, avancimin e mësimit praktik dhe krijimin e mundësive të reja për studentët.

