IMG 7722

Rektorja dhe prorektori i UIBM-së marrin pjesë në konferencën vjetore të Procesit të Berlinit në Podgoricë

Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. Dr. Nurten Deva, dhe Prorektori për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, Prof. Dr. Sabri Avdullahi, po marrin pjesë në konferencën e 10-të vjetore të palëve të interesit të shtyllës së Shkencës, Arsimit, Kërkimit dhe Inovacionit, e organizuar në kuadër të Procesit të Berlinit 2026, e cila po mbahet nga 12 deri më 14 tetor 2026 në Podgoricë, Mali i Zi.

Konferenca, me temën “Ballkani Perëndimor në Evropë: Njerëzit – Inovacioni – Transformimi”, mbledh përfaqësues të universiteteve, akademive të shkencave, organizatave kërkimore dhe institucioneve të ndryshme nga rajoni dhe Evropa, me qëllim të diskutimit të zhvillimeve dhe perspektivave të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë, shkencës, kërkimit dhe inovacionit.

Programi i konferencës përfshin diskutime mbi transformimin e sistemeve të arsimit të lartë në përgjigje të ndryshimeve demografike dhe nevojave të tregut të punës, integrimin e inteligjencës artificiale në proceset mësimore, zhvillimin e inovacionit dhe forcimin e ekosistemeve lokale të inovacionit, si dhe rolin e ekspertizës shkencore në modernizimin e institucioneve dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrja e udhëheqësve të Universitetit “Isa Boletini” në këtë konferencë përbën një mundësi për të ndjekur zhvillimet aktuale në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, si dhe për të shkëmbyer përvoja me përfaqësues të institucioneve akademike dhe shkencore nga rajoni dhe Evropa.

Konferenca organizohet në kuadër të Procesit të Berlinit, me fokus në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e arsimit, shkencës dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor.

IMG 7725
Shperndaj ne: