1000047825

Sesioni informues i Erasmus+ në UIBM për studentët dhe stafin

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë organizoi një sesion informues në bashkëpunim me Zyrën Qendrore Erasmus+ në Kosovë, me qëllim të informimit të studentëve dhe stafit akademik mbi mundësitë që ofron programi Erasmus+ për mobilitet dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Gjatë sesionit, përfaqësueset e Zyrës Qendrore Erasmus+ në Kosovë, Mimika Dobroshi dhe Blerinë Zijaqa, prezantuan mundësitë e ofruara nga programi, procedurat e aplikimit, kriteret e përzgjedhjes, si dhe përfitimet akademike, profesionale dhe personale që sjell pjesëmarrja në mobilitetet ndërkombëtare. Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të marrin informacione e sqarime të drejtpërdrejta rreth procesit të aplikimit dhe realizimit të mobiliteteve.

Një pjesë e veçantë e sesionit iu kushtua përvojave të studentëve të Universitetit “Isa Boletini” që tashmë kanë përfituar nga programi Erasmus+ dhe kanë realizuar mobilitete në universitete të ndryshme evropiane. Ata ndanë përvojat e tyre personale dhe akademike, treguan për sfidat dhe mundësitë me të cilat janë përballur gjatë qëndrimit jashtë vendit, si dhe theksuan ndikimin pozitiv të këtyre përvojave në zhvillimin e tyre akademik dhe personal.

Përmes dëshmive dhe përvojave konkrete, studentët inkurajuan kolegët e tyre që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron programi Erasmus+, duke theksuar se mobiliteti ndërkombëtar është një mundësi e rëndësishme për zgjerimin e njohurive, përvetësimin e aftësive të reja, njohjen me kultura të ndryshme dhe krijimin e kontakteve ndërkombëtare.

UIBM mbetet i përkushtuar në promovimin e mobilitetit akademik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke synuar krijimin e sa më shumë mundësive për studentët dhe stafin e tij për të qenë pjesë e përvojave dhe rrjeteve akademike ndërkombëtare.

1000047826
Shperndaj ne: