Shtatë studentë nisin punën praktike me pagesë në UIBM
Shtatë studentë kanë nënshkruar të hënën kontratat për punë praktike me pagesë për një periudhë 3-mujore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Studentët që kanë përmbushur kriteret e konkursit të shpallur dhe janë përzgjedhur fitues do të shpërndahen nëpër zyrat e administratës në UIBM.
Sekretari i Përgjithshëm i UIBM, Shkumbin Imeri, i ka uruar studentët e përzgjedhur për këtë projekt. Ai ka theksuar se përveç studentëve, me angazhimin e tyre do të përfitojë edhe Universiteti.
Zyrtari i Lartë i Qendrës për Zhvillim në Karrierë në UIBM, Erzen Isufi, tha se ky projekt është mundësuar në kuadër të bashkëpunimit me Odën Ekonomike Gjermano – Kosovare. Në kuadër të këtij bashkëpunimi parashihet që Universiteti të angazhojë studentë/praktikantë përmes platformës digjitale K-GenU, me qëllim të përfshirjes së të tyre në programin e punës praktike.
Ky është viti i tretë me radhë që realizohet një projekt i tillë në UMIB.

