Stafi akademik i FIMK-ut zhvilloi sesione akademike me studentët ndërkombëtarë në Bingöl University
Në kuadër të vizitës mësimdhënëse në Bingöl University, të realizuar përmes programit Erasmus+ International Credit Mobility (KA171), stafi akademik i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike të Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë zhvilloi dy sesione akademike me pjesëmarrjen e stafit akademik dhe studentëve ndërkombëtarë në sallën e konferencave të Bingöl University International Office.
Sesioni i parë u mbajt nga Prof. ass. dr. Fatmir Azemi, i cili prezantoi temat “Introduction to Modern Manufacturing”, “Artificial Intelligence in Manufacturing” dhe “Generative Design with Fusion 360: A Modern Manufacturing Case Study”. Gjatë prezantimit u trajtuan zhvillimet më të fundit në prodhimtarinë moderne, roli i inteligjencës artificiale në transformimin e proceseve industriale, si dhe përdorimi i teknologjive të projektimit gjenerativ për optimizimin e produkteve dhe proceseve të prodhimit.
Sesioni i dytë u zhvillua nga Prof. ass. dr. Safet Abdullahu, i cili ligjëroi mbi temën “Cost Calculation in Manufacturing Decision Making in Mechanical Engineering”. Në këtë sesion u diskutua rëndësia e analizës së kostove në procesin e vendimmarrjes në inxhinierinë mekanike, duke theksuar ndikimin e saj në planifikimin, optimizimin dhe rritjen e efikasitetit të proceseve të prodhimit.
Pas përfundimit të të dy sesioneve u zhvillua një diskutim i hapur me studentët dhe stafin akademik të Bingöl University, ku u shkëmbyen ide dhe përvoja mbi zhvillimet bashkëkohore në fushën e inxhinierisë, inteligjencës artificiale dhe prodhimtarisë moderne. Aktiviteti shërbeu gjithashtu për prezantimin e aktiviteteve akademike dhe kërkimore të UIBM-së, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy universiteteve.
Përmes këtyre aktiviteteve, Universiteti “Isa Boletini” Mitrovicë vazhdon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar, duke promovuar shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira në kuadër të programit Erasmus+ International Credit Mobility (KA171).


