Projekti I Studenteve

Studentë të UIBM aplikojnë në STEM me projektin: “Nëse riciklojmë mbeturinat, krijojmë një ekonomi”

Pesë studentë të programit “Materiale dhe Metalurgji” të Fakultetit të Gjeshkencave në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), kanë aplikuar me një projekt në kuadër të thirrjes për projekte të vogla, kreative dhe inovative në fushën e STEM nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Studentët: Omer Gucati, Eljona Munishi, Valona Prokshi, Enver Fejza dhe Albina Rama, kanë aplikuar me projektin “Nëse riciklojmë mbeturinat, krijojmë një ekonomi”.

Në abstraktin e projektit thuhet se shoqëria bashkëkohore përballet me sfida të mëdha që lidhen me mbrojtjen e mjedisit. “Çdo ditë prodhojmë tona mbeturina që përfundojnë në deponi, lumenj dhe dete, duke rrezikuar mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Kjo është arsyeja pse riciklimi nuk është më vetëm një opsion, por një domosdoshmëri. Nëse riciklojmë mbeturinat, krijojmë një ekonomi rrethore që sjell edhe një ndikim të fortë social”.

Ky grup studentësh është pritur të hënën në takim nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, e cila i ka uruar për përgatitjen e projektit. Rektorja ka çmuar punën dhe përkushtimin e tyre dhe ka shprehur mbështetjen e Universitetit për projektet e studentëve në përgjithësi.

Studentët kanë falënderuar rektoren për mbështetjen dhe inkurajimin që të bëhen pjesë e kësaj thirrjeje nga MASHTI. Ata në takim shpjeguan edhe disa nga veçoritë e projektit që do të realizojnë, sikur që është  ekonomia rrethore që bazohet në parimin e ripërdorimit të burimeve, përfitimeve të dukshme mjedisore, zhvillimit të qëndrueshëm, ndikimit social etj.

Shperndaj ne: