Studentët e FIMK fitojnë vendin e dytë në Hackathonin e KRU “Mitrovica”
Studentët e vitit të parë të Departamentit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Bleon Nasufi, Elton Rexha dhe Kron Spanca, kanë fituar vendin e dytë dhe çmimin prej 500 eurosh në hackathonin dyditor të organizuar nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, më 13–14 nëntor 2026.
Të tre studentët garuan në kuadër të ekipit InnoWaters, së bashku me studentë nga universitete të tjera, duke prezantuar ide dhe zgjidhje inovative në përgjigje të sfidës së përcaktuar nga organizatorët. Pjesëmarrësit kishin për detyrë të zhvillonin zgjidhje inovative, të bazuara në të dhëna, me synim reduktimin e ujit të pafaturuar.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe studentët e tjerë të UIBM-së, Rinor Zeqiri, Enes Ibrahimi dhe Elios Mernica, të cilët kontribuuan me idetë dhe angazhimin e tyre gjatë punës ekipore dhe aktiviteteve të hackathonit.
FIMK vlerëson këtë sukses të studentëve dhe falënderon KRU “Mitrovica” për organizimin e këtij aktiviteti, i cili u ofroi studentëve mundësinë të zbatojnë njohuritë e tyre akademike në praktikë, të zhvillojnë aftësitë e punës në ekip dhe të kontribuojnë përmes inovacionit në adresimin e sfidave reale të komunitetit.






