Dy studente të FIMK-ut po realizojnë mobilitetin Erasmus+ në Universitetin e Bingölit
Studentet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, Devlete Hasani dhe Erza Osmani, janë duke realizuar mobilitetin për praktikë profesionale në Universitetin e Bingölit, në Turqi, në kuadër të programit Erasmus+. Mobiliteti ka filluar në muajin tetor dhe zgjat deri në fund të muajit dhjetor 2026.
Gjatë qëndrimit në universitetin pritës, studentet janë të angazhuara në aktivitete akademike dhe kërkimore në fushën e inteligjencës artificiale dhe machine learning, me fokus në analizën e të dhënave klimatike, nën mentorimin e Prof. Ass. Enes Algül.
Studentet shprehen të kënaqura me përvojën e deritanishme në Universitetin e Bingölit, duke vlerësuar mikpritjen dhe bashkëpunimin me stafin akademik të universitetit pritës. Ato e konsiderojnë këtë mobilitet një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e njohurive, fitimin e përvojës praktike dhe zhvillimin e mëtejshëm profesional.
Prodekani për Cilësi dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në FIMK, Prof. Ass. Dr. Berat Ujkani, i cili ka qenë i përfshirë në mbështetjen dhe koordinimin e këtij mobiliteti, thekson rëndësinë e mundësive të tilla për zhvillimin profesional të studentëve dhe forcimin e bashkëpunimit me universitetet partnere ndërkombëtare.

