Studentët e FIMK-ut pjesë e dy programeve ndërkombëtare në Universitetin Rumuno-Amerikan
Studentët Edon Berisha dhe Alban Rrahmani morën pjesë në programin pesëditor ASTRA, gjatë të cilit zgjeruan njohuritë e tyre në fushën e Inteligjencës Artificiale, me fokus të veçantë në agjentët e inteligjencës artificiale dhe sigurinë në web. Aktivitetet u zhvilluan nën udhëheqjen e ligjëruesve dhe ekspertëve me përvojë ndërkombëtare.Në kuadër të programit, studentët zhvilluan një agjent të inteligjencës artificiale të quajtur “Home Assistant”. Ky sistem synon automatizimin e shtëpive inteligjente përmes përdorimit të një pajisjeje EEG Headband, e cila analizon të dhënat e aktivitetit të trurit në kohë reale. Bazuar në këto të dhëna dhe në ambientin ku ndodhet përdoruesi, sistemi mund të realizojë detyra që ndihmojnë në zvogëlimin e stresit dhe përmirësimin e përqendrimit.
Ndërkohë, studentët Petrit Rexha dhe Endrit Menxhiqi morën pjesë në programin dhjetëditor 3CS, i strukturuar në formën e konferencave, ligjëratave profesionale dhe punës në grupe.
Programi trajtoi tema të rëndësishme, si siguria kibernetike, krimi i organizuar, rreziqet dhe krimet detare, trafikimi i qenieve njerëzore, sfidat e sigurisë në rajonin e Detit të Zi dhe Detit Mesdhe, si dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale në parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik.
Pjesëmarrësit u angazhuan gjithashtu në ushtrime praktike interaktive, simulime të hetimeve, analiza të indikatorëve të mashtrimit bazuar në raste reale dhe kuize për vlerësimin e njohurive të fituara. Ligjëratat dhe aktivitetet u udhëhoqën nga ekspertë ndërkombëtarë të fushave përkatëse.
Përmes përvojave të tilla, studentët kanë mundësi të zgjerojnë njohuritë, të zhvillojnë shkathtësi praktike dhe të krijojnë kontakte me studentë, ligjërues dhe ekspertë nga vende të ndryshme.




