Studentët e FTU-së njihen me procesin e prodhimit të verës në “Stone Castle”
Një grup studentësh nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU) të shoqëruar nga mësimdhënësit kanë vizituar të premten kompaninë “Stone Castle” në Rahovec ku janë njoftuar me procesin e prodhimit të verës. Vizita është realizuar në kuadër të projektit “Rritja e kërkimit shkencor në kuadër të lëndëve të caktuara të teknologjisë së fermentimit” që është duke u realizuar në FTU.
Grupi i studentëve që janë shoqëruar nga udhëheqësit e projektit, prof.ass. Dafina Llugaxhiu dhe prof.dr. Alush Musaj, janë pritur nga drejtuesit dhe punonjësit e kompanisë “Stone Castle”. Ata u kanë sqaruar studentëve procesin e prodhimit të verës dhe janë përgjigjur në interesimin e tyre për specifikat e prodhimit të verës.
Në kuadër të projektit “Rritja e kërkimit shkencor në kuadër të lëndëve të caktuara të teknologjisë së fermentimit”, në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU), në fillim të javës është mbajtur edhe një punëtori mbi procesin e prodhimit të verës në UIBM. Udhëheqësja e këtij projekti, prof.ass.dr. Dafina Llugaxhiu, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është të krijoj një platformë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit të verarisë, për të shkëmbyer përvoja, praktika të mira dhe për të forcuar lidhjet midis kërkimit shkencor dhe prodhimit praktik të verës në vendin tonë.
Sipas saj, qëllimi i këtij projekti të mbështetur nga UIBM, MASHTI dhe ORCA është integrimi i kërkimit shkencor në procesin e fermentimit, rritja e aftësive kërkimore të studentëve përmes punës eksperimentale, zhvillimi i kompetencës për analiza kimike dhe mikrobiale të produkteve të fermentuara dhe lidhja e mësimit universitar me kërkimin praktik në proceset e fermentimit në veçanti në prodhimin e verës.




