Fimk 23

Studentët e vitit të dytë të drejtimit Makineri Prodhuese vizituan Qendrën e Trajnimeve të KEK-ut

Në kuadër të bashkëpunimeve ndërinstitucionale dhe orientimit praktik të studimeve, studentët e vitit të dytë të programit Makineri Prodhuese nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në Universitetin “Isa Boletini” Mitrovicë (UIBM), zhvilluan një vizitë studimore në Qendrën e Trajnimeve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Studentët ishin në përcjellje të profesoreshës Melihate Shala, si dhe të dy laboratorantëve të fakultetit, Edon Bunjaku dhe Drilon Beqiri.

Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me ambientet moderne dhe programet praktike që ofrohen për përgatitjen profesionale të kandidatëve në fusha të ndryshme teknike.

Aktiviteti filloi me vizitën në qendrën e saldimit, ku studentët u informuan për procesin e certifikimit sipas metodave të ndryshme të saldimit, si dhe u prezantuan me pajisjet dhe teknikat që përdoren për saldimin e pllakave dhe gypave – një aftësi shumë e kërkuar në sektorin industrial.

Më pas, studentët vizituan laboratorin e mekanikës, ku zhvillohen trajnime në fushat e tornimit, frezimit dhe shpimit. Ata u njoftuan me funksionimin e pajisjeve dhe rëndësinë e përgatitjes teknike për suksesin profesional në këtë fushë.

Vizita vazhdoi në laboratorin e mekatronikës, ku studentët patën rastin të shohin nga afër pajisje hidraulike dhe pneumatike që përdoren për simulime praktike, duke theksuar rëndësinë e ndërthurjes së njohurive mekanike, elektrike dhe të automatizimit për mirëmbajtjen industriale.

Gjithashtu, u vizitua edhe qendra e trajnimit për programin AutoCAD, ku studentët u njohën me metodologjinë e projektimit digjital të pjesëve teknike dhe skemave industriale – një kompetencë esenciale për tregun bashkëkohor të punës.

Në përmbyllje të vizitës, studentët vizituan laboratorin e bazave të elektroteknikës dhe elektronikës, ku u prezantuan me komponentët bazë, qarkoret elektrike dhe teknikat e matjes, që janë thelbësore për profilin e çdo inxhinieri teknik.

Kjo vizitë përbën një shembull të shkëlqyer të lidhjes ndërmjet teorisë dhe praktikës, duke rritur motivimin dhe përgatitjen profesionale të studentëve për sfidat dhe kërkesat e tregut të punës.

 

Shperndaj ne: