Studentët prezantuan 7 projekte inovative në kuadër të “Javës së Ndërmarrësisë 2026”
Shtatë grupe studentësh kanë prezantuar projektet e tyre në fushën e inovacionit në një aktivitet të organizuar të mërkurën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë në kuadër të “Javës Globale të Ndërmarrësisë 2026”. Paraprakisht u mbajt një tryezë e rrumbullakët me temë: “Nga ideja te tregu: Ndërmarrësia, inovacioni dhe fuqizimi i të rinjve”.
Flutura Hyseni, studente e programit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinierike nga FIMK (baçelor), ka prezantuar projektin “CampusCare”, platformë digjitale që synon përmirësimin e përvojës studentore përmes mbështetjes, mirëqenies, bashkëpunimit dhe zhvillimit personal e profesional.
Rinesa Bislimi, studente e programit Cloud dhe Edge Computing në FIMK (master), ka prezantuar projektin “AcademicAI”, sistem inteligjent i dedikuar për mbështetjen akademike të studentëve.
Edon Berisha, student i programit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinierike (baçelor), ka prezantuar “AI Assistant Builder”, zgjidhje që u mundëson bizneseve të krijojnë dhe integrojnë asistentë të inteligjencës artificiale, të trajnuar mbi të dhënat e tyre.
Agnesa Baliu, studente e programit Cloud dhe Edge Computing në FIMK (master), ka prezantuar “PronaJonë”, platformë digjitale për regjistrimin, verifikimin dhe transferimin e pronësisë me integrimin e teknologjisë Blockchain.
Ardit Avdiu dhe Norit Qyqalla, studentë të FIMK, kanë prezantuar projektin “KosVibe”, platformë mobile për zbulimin e destinacioneve turistike, kulturës, ngjarjeve dhe bizneseve lokale në Kosovë, duke ofruar edhe qasje në informacione pa internet.
Kushtrim Rexha, i diplomuar (Alumni) nga FIMK, kanë prezantuar projektin “SMART HOME – Digjitalizimi i shtëpisë”, me projekt në fushën e digjitalizimit të shtëpisë.
Fjolla Hasani dhe Omer Gucati me projektin Mëso&Puno studentë të Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Gjuhëve (FGJ). Projekti, i cili ka fituar vendin e tretë në StartLab360, është një platformë digjitale që lidh të rinjtë me mundësi punësimi fleksibil, praktike dhe zhvillimi profesional në Kosovë. Platforma synon të lehtësojë kalimin nga studimet në tregun e punës dhe fitimin e përvojës së parë profesionale, përmes bashkëpunimit me biznese dhe institucione.
Në fund të prezantimeve rektorja, prof.dr. Nurten Deva, ka falënderuar studentët për prezantimet e tyre dhe ka ndarë mirënjohje.








