Suksesi i Fakultetit Juridik në vlerësimet pasakredituese
Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm në rrugëtimin e tij akademik, duke dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj cilësisë dhe përmirësimit të vazhdueshëm në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të akreditimit.
Pas riakreditimit të suksesshëm të programit baçelor (LLB) në vitin 2024, Fakulteti Juridik ka kaluar me sukses edhe fazën pasakredituese të vlerësimit nga ekspertët e jashtëm të akreditimit. Vizita e ekspertëve u zhvillua më 19 mars 2025, gjatë së cilës u vlerësua se fakulteti ka vepruar në harmoni të plotë me planin e përmirësimit dhe ka zbatuar në mënyrë të përpiktë rekomandimet e dhëna gjatë procesit të riakreditimit.
Ekspertët e akreditimit kanë dhënë një vlerësim thellësisht pozitiv për secilin standard të analizuar, duke reflektuar angazhimin serioz të fakultetit për ofrimin e një arsimi cilësor, të qëndrueshëm dhe në përputhje me nevojat bashkëkohore të tregut dhe shoqërisë. Sipas raportit të ekipit vlerësues, Fakulteti Juridik ka ndërmarrë veprime të suksesshme për zbatimin e 17 prej gjithsej 27 rekomandimeve të dhëna, vetëm gjatë periudhës 1 tetor 2024 – 31 janar 2025, që përbën 62.96% të totalit. Ky është një tregues i qartë i përkushtimit të vazhdueshëm për ngritjen e cilësisë dhe përmbushjen e standardeve të përcaktuara në planin e përmirësimit.
Në veçanti, është vlerësuar lart gatishmëria për përmirësim, kompetenca dhe motivimi i lartë i menaxhimit, i stafit akademik dhe atij administrativ, si dhe infrastrukturën e volitshme, të cilët janë identifikuar si faktorë kyç në suksesin dhe progresin e vazhdueshëm të fakultetit. Gjithashtu, sipas këtij vlerësimi në fjalë, dëshmon për një kulturë institucionale profesionale dhe bashkëpunuese, e cila reflekton në të gjitha hallkat e funksionimit të fakultetit.
Lidhur me këtë sukses të rëndësishëm, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, deklaroi: “Ky rezultat është një arritje e rëndësishme jo vetëm për Fakultetin Juridik, por një shembull frymëzues për të gjitha njësitë akademike të Universitetit ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë. Ai dëshmon përkushtimin tonë të palëkundur për zhvillim të vazhdueshëm, konsolidim institucional dhe ofrim të një arsimi cilësor në shërbim të studentëve dhe të shoqërisë në përgjithësi.”
Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. Dr. Nurten Deva uron Fakultetin Juridik për këtë sukses të merituar dhe e mbështet në vazhdimësinë e përpjekjeve për të qenë gjithnjë në përputhje me kërkesat akademike bashkëkohore dhe zhvillimin profesional të stafit dhe studentëve.
