Takim i menaxhmentit dhe stafit akademik të Fakultetit Juridik me ish-studentët e tij (ALUMNI)
Me ftesë të dekanit të Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. Dr. Islam Qerimi, dje u mbajt një takim ndërmjet menaxhmentit dhe stafit akademik të Fakultetit Juridik me ish-studentët e këtij fakulteti.
Qëllimi i takimit ishte të njihej nga afër përvoja e ish-studentëve lidhur me zbatimin në praktikë të njohurive të fituara gjatë studimeve, sfidat me të cilat janë përballur në tregun e punës, si dhe të diskutoheshin mënyrat e përmirësimit të programit akademik në përputhje me nevojat aktuale profesionale.
Ish-studentët ndanë përvojat e tyre nga angazhimi në institucione shtetërore, zyra ligjore dhe departamente të tjera me karakter juridik, duke vlerësuar se njohuritë e marra gjatë studimeve në Fakultetin Juridik kanë qenë një bazë e fortë për zhvillimin e tyre profesional. Por, ata theksuan se ekziston ende një hendek mes teorisë dhe praktikës, duke kërkuar shtimin e orëve praktike gjatë studimeve, në mënyrë që studentët të jenë më mirë të përgatitur për sfidat reale të profesionit.
Disa nga ish-studentët theksuan se, për shkak të kufizimeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19, nuk patën mundësi të përfshiheshin sa duhet në praktikat profesionale, gjë që ka ndikuar në përgatitjen e tyre të përgjithshme. Menaxhmenti dhe stafi akademik pranuan se ky boshllëk ndërmjet arsimit teorik dhe përvojës praktike është një fenomen i njohur edhe në universitete të tjera, dhe për këtë arsye është e domosdoshme të ndërmerren hapa konkretë për ta zvogëluar atë.
Në këtë drejtim, ata informuan se tashmë tri vite me radhë, në kuadër të kurrikulës së Fakultetit Juridik janë integruar lëndë klinike që përfshijnë komponentën e mësimit praktik. Për më tepër, studentët kanë mundësinë të ndjekin praktika profesionale tre mujore pranë gjykatave të rajonit, duke krijuar kështu një urë të drejtpërdrejtë mes njohurive akademike dhe zbatimit të tyre në praktikë.
Gjatë takimit, profesorët mirëpritën sugjerimet dhe rekomandimet e ish-studentëve, sidomos ato që kishin të bëjnë me përfshirjen e praktikës profesionale nëpërmjet klinikave ligjore dhe përdorimin e literaturës së përditësuar juridike.
Ish-studentët theksuan gjithashtu se fakulteti përbën vetëm shkallën e parë në karrierën e tyre akademike dhe profesionale, dhe se kanë ambicie të vazhdojnë studimet pasuniversitare në nivelin master, brenda dhe jashtë vendit. Ata kërkuan që të forcohet bashkëpunimi ndërmjet fakultetit dhe alumnive, për të pasur qasje më të lehtë në bursa dhe mundësi të tjera për avancim akademik.
Dekani dhe menaxhmenti i fakultetit i siguruan pjesëmarrësit se do të ndërtohet një mekanizëm i qëndrueshëm i komunikimit me alumnit dhe se janë arritur një sërë memorandume bashkëpunimi me fakultete juridike në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian, që do të mundësojnë studime të mëtejme me bursa për studentët e interesuar.
Në përmbyllje të takimit, të gjitha palët – menaxhmenti, stafi akademik dhe ish-studentët – u pajtuan që këto takime të vazhdojnë të organizohen në mënyrë periodike, pasi ato përbëjnë një mundësi të vlefshme për përmirësimin dhe përshtatjen e programeve të studimit me kërkesat e tregut të punës për profesionistët juridikë në Kosovë.
