2

Takim për shqyrtimin e mundësive të avancimit të platformës KRIS

Prorektori për Kërkime dhe Hulumtime Shkencore në UIBM, Prof. asoc. Bahtir Hyseni, së bashku me Prorektorin për Cilësi, Prof. dr. Sabri  Avdullahi, mirëpritën në takim ekspertin z. Felix Gajdusek, anëtar i konsorciumit dhe ekspert i fushës, si dhe përfaqësuesen e SHER, znj. Shqiponja Kodraliu.

Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për avancimin dhe ri-inicimin e platformës KRIS – Kosovo Research Information System, me qëllim të shqyrtimit të mundësive për zhvillimin e mëtejshëm të saj dhe forcimin e rolit të kësaj platforme në mbështetjen e hulumtimit shkencor në Kosovë.

Gjatë diskutimeve, Prorektori për Kërkime dhe Hulumtime Shkencore, Prof. asoc. Bahtir Hyseni, shprehu interesimin e UIBM-së për vazhdimin e bashkëpunimit në këtë drejtim. Ai i njoftoi të pranishmit se UIBM, me kapacitetet e veta institucionale, është duke investuar në krijimin e platformave të ngjashme për përdorim të brendshëm, me qëllim të avancimit të menaxhimit të të dhënave kërkimore dhe mbështetjes së stafit akademik në aktivitetet hulumtuese.

Po ashtu, Prof. Hyseni theksoi rëndësinë që platforma KRIS, përveç rolit të saj në rrjetëzimin e stafit akademik dhe hulumtues, të zgjerojë funksionalitetet edhe në drejtim të ofrimit të shërbimeve shtesë, siç janë qasja në platforma shkencore, revista akademike dhe burime të tjera relevante për universitetet publike në Kosovë.

Nga ana e tij, z. Felix Gajdusek theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në procesin e ri-inicimit dhe avancimit të platformës KRIS. Ai vlerësoi se kjo platformë mund të ketë rol të rëndësishëm në fuqizimin e rrjetëzimit të stafit akademik, rritjen e dukshmërisë së punës kërkimore dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim ndërinstitucional në fushën e hulumtimit shkencor.

Në përfundim të takimit, palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin me qëllim të identifikimit të hapave konkretë për zhvillimin e mëtejshëm të platformës KRIS dhe përfshirjen aktive të universiteteve publike në këtë proces.

Shperndaj ne: