Trajnimi për trajnerë në kuadër të projektit LEADALKO vazhdon në UIBM
Trajnimi për trajnerë në kuadër të projektit LEADALKO, për ata që do të pilotojnë Programin e Lidershipit, që ka filluar të martën në Kolegjin e Biznesit në Prishtinë, ka vazhduar të mërkurën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Paradite mysafirët nga universitetet partnere nga Shqipëria, Malta dhe Sllovenia, kanë realizuar një vizitë në Muzeun e Qytetit në Mitrovicë, ku janë pritur nga drejtoresha, Nora Prekazi.
Në emër të UIBM, të pranishmëve ju ka uruar mirëseardhje prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi. Ajo e ka vlerësuar rëndësinë e këtij trajnimi dhe projektit LEADALKO për stafin akademik në UIBM.
Trajnimi po mbahet nga trajnerët ndërkombëtarë: David Dawson, profesor i Lidershipit në Universitetin e Gloucestershire – Ekspert Ndërkombëtar për Lidershipin dhe Ndërmarrësinë dhe profesor Jan Myers nga ISSBS me përvojë shumë të gjatë në të nxënit individual dhe organizativ dhe lidershipin e ndryshimeve sociale dhe krijimin e kuptimeve. Ky seminar/trajnim përfaqëson një aktivitet kyç, pasi do të përgatisë trajnerët që më vonë do të zbatojnë programin me stafin akademik dhe administrativ, si dhe me përfaqësues nga institucionet arsimore në nivel qendror dhe lokal.
Trajnimi i trajnerëve i paraprin trajnimit të grupeve përkatëse të stafit akademik dhe anëtarëve të jashtëm në Kosovë dhe Shqipëri që do të marrin pjesë në këtë trajnim gjatë periudhës gjashtëmujore janar-qershor 2025.
Trajnimi në UIBM do të vazhdojë edhe të enjten.





