Tri projektet e studentëve të UIBM shpërblehen me çmime në thirrjen e MASHTI-t për fushat STEM
Tri projekte të studentëve të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë janë vlerësuar me çmime në ceremoninë e ndarjes së 13 shpërblimeve për studentët përfitues të “Thirrjes së hapur për projekte kreative dhe inovative në fushat STEM”, e cila synon nxitjen e inovacionit dhe zgjidhjeve të aplikueshme për sfida shoqërore dhe mjedisore. Thirrja ka qenë e hapur për studentët (baçelor) nga fakultetet e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë, Matematikës dhe Arkitekturës në universitetet publike dhe kolegjet private në Kosovë, në periudhën 08.10.2025 – 05.11.2025.
Grupi i studentëve të Fakultetit të Gjeoshkencave: Omer Gucati, Eljona Munishi, Valona Prokshi, Enver Fejza dhe Albina Rama, kanë zënë vendin e dytë me projektin “Riciklimi në ekonominë qarkore dhe ndikimi social” në fushën e shkencave. Grupi i studentëve të Fakultetit të Informatikës dhe Inxhinierisë Mekanike: Behar Xhosha, Sejdi Gashi dhe Redon Berisha, kanë zënë vendin e dytë me projektin “Ndihmo Tjetrin” në fushë teknologji, ndërsa grupi tjetër i studentëve të FIMK-ut: Agnesa Baliu, Erza Peci dhe Erona Maxhuni, kanë zënë vendin e tretë me projektin “CodePathX” po ashtu në fushën e teknologjsië.
Ministrja në detyrë e Arsimiit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka nda shpërblimet për studentët përfitues të projekteve kreative dhe inovative STEM. Ajo uroi studentët përfitues të projekteve për suksesin e arritur dhe theksoi se mbështetja e tyre në fushat STEM është investim në të ardhmen e vendit, duke vlerësuar idetë inovative, punën ekipore dhe përfshirjen e barabartë të vajzave dhe djemve, si dhe duke inkurajuar zhvillimin e projekteve të realizueshme që adresojnë nevoja reale të shoqërisë.
Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, ka vlerësuar angazhimin e studentëve me projektet e tyre. Ajo i ka uruar studentët për suksesin e arritur dhe i ka inkurajuar studentët që të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve.



