Trupi Këshillëdhënës i Fakultetit Juridik diskutoi programin e ri master
Më 9 qershor 2026, Trupi Këshillëdhënës i Fakultetit Juridik mbajti një takim online për shqyrtimin e propozimit për themelimin e një programit të ri të studimeve master i shkencave – njëvjeçare (60 ECTS). Takimi u udhëhoq nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, dhe mblodhi anëtarët e jashtëm të Trupit Këshillëdhënës, përfaqësues të institucioneve dhe profesioneve juridike, si dhe drejtuesit akademikë të Fakultetit Juridik.
Në fjalën e tij hyrëse, Dekani Qerimi prezantoi arsyetimin, objektivat dhe strukturën e programit të propozuar, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së partnerëve institucionalë dhe profesionistëve të fushës në procesin e zhvillimit të programeve të reja studimore. Ai nënvizoi se programi synon të adresojë nevojat aktuale të tregut të punës, sfidat e procesit të integrimit evropian dhe kërkesat bashkëkohore të arsimit juridik.
Konceptin e programit e prezantoi në detaje Prof. Ass. Dr. Zahir Çerkini, i cili shpjegoi se programi është i fokusuar në fushën e së drejtës publike, me theks të veçantë në të drejtën kushtetuese, të drejtën evropiane dhe proceset integruese. Sipas tij, programi është konceptuar për t’u ofruar studentëve njohuri të avancuara dhe kompetenca profesionale në fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin institucional dhe integrimin evropian të vendit.
Gjatë diskutimit, anëtarët e Trupit Këshillëdhënës vlerësuan pozitivisht iniciativën e Fakultetit Juridik, duke e konsideruar programin si një ofertë të re dhe të veçantë në arsimin juridik në Kosovë. Ata theksuan rëndësinë e përmbajtjes së programit, relevancën e tij në raport me zhvillimet aktuale dhe potencialin për të përgatitur kuadro profesionale të profilizuara në fushën e së drejtës publike dhe politikave evropiane.
Në kuadër të diskutimeve u dhanë edhe rekomandime konstruktive për avancimin e mëtejmë të programit, përfshirë forcimin e komponentës praktike, qartësimin e rezultateve të të nxënit dhe shqyrtimin e mundësive për zgjerimin e ofertës akademike në të ardhmen.
Duke iu përgjigjur komenteve dhe sugjerimeve të paraqitura, Prof. Çerkini theksoi se programi është hartuar në përputhje me kapacitetet akademike të Fakultetit Juridik dhe me standardet e kërkuara të akreditimit, duke siguruar një bazë të qëndrueshme për realizimin e tij të suksesshëm.
