U hap biblioteka angleze “The Story Corner”
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë është hapur biblioteka angleze “The Story Corner”, projekt që u financua nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë përmes Programit të Granteve të Vogla të Bordit të Shkëmbimit Arsimor Shtetet e Bashkuara-Kosovë (USKEB). Biblioteka përbëhet nga pothuajse 50 tituj në anglisht, që përfshin letërsinë klasike, letërsinë moderne etj.
Në një ceremoni të organizuar në këtë rast, përveç studentëve ishin të pranishëm edhe prorektorët e UIBM dhe zyrtarë nga administrata. Projekti i bibliotekës dhe ngjarja e hapjes u planifikuan dhe zbatuan nga asistentet amerikane të Fulbright-it për mësimin e anglishtes Audra Pesko (Universiteti i Mitrovicës) dhe Peyton D’Anthony (Universiteti i Prishtinës).
Studentët dekoruan gjithashtu bibliotekën me artin e bërë gjatë ngjarjes Paint & Chat. Në këtë ngjarje u shfaqën edhe libra të dhuruar nga Suedia, Zvicra dhe Italia. Në shenjë respekti për realizimin e këtij projekti, prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi, ndau mirënjohje për dy asistentet amerikane.


