U mbajt Akademia Përkujtimore kushtuar profesorit, Zeki Loxha
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë u mbajt të hënën në mbrëmje një Akademi Përkujtimore kushtuar profesorit, Zeki Loxha, me rastin e 1-vjetorin të ndarjes së tij nga jeta. Përveç drejtuesve të UIBM dhe familjarëve, të pranishëm ishin edhe miq, shokë e bashkëpunëtorë të të ndjerit, i cili përveç si profesor në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, kishte mbajtur edhe pozita me rëndësi në ndërmarrjen “Trepça”.
Prorektori për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, prof.dr. Sabri Avdullahi, tha se në kohën kur industria në Mitrovicë dhe në gjithë Kosovën kishte nevojë të madhe për kuadro, profesor Zekiu, erdhi si margaritar për të qenë pjesë e hapave të parë të projekteve të mëdha. “Pas sfidës së parë si drejtor i teknologjisë së prodhimit të akumulatorëve, ai ndërmori nismën për ngritjen e Institutit për Hulumtime Shkencore në Trepçë, duke qenë edhe drejtori i parë. Gjithashtu ai ishte edhe profesor për shumë kohë në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, duke kontribuar në ngritjen e kuadrove të reja”.
Një biografi më të zgjeruar për jetën dhe veprimtarinë e Zeki Loxhës e lexoi, Nora Prekazi, ndërsa punëtorët sportiv folën për kontributin e tij si drejtor i klubit të hendbollit “Trepça”. Akademia përfundoi me fjalët e familjarëve të cilët evokuan kujtime nga jeta e profesor, Zeki Loxhës.


