“Dita Alumni” do të organizohet më 19 maj 2026
Më 28.04.2026 është mbajtur takimi i Asociacionit Alumni të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, në kuadër të të cilit u diskutua për organizimin e aktiviteteve të ardhshme dhe forcimin e bashkëpunimit me rrjetin e ish-studentëve të universitetit.
Gjatë takimit, u konfirmua se Dita Alumni 2026 do të mbahet më 19.05.2026 në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Në kuadër të kësaj dite të veçantë, janë planifikuar një sërë aktivitetesh të organizuara me dhe nga ish-studentët e UIBM-së, të cilat do të përfshijnë ndarjen e përvojave profesionale, prezantime inspiruese, panair të bizneseve dhe mundësive të punësimit, si dhe aktivitete të tjera të rrjetëzimit dhe bashkëpunimit.
Kryetarja e Bordit Alumni Dafina Llugaxhiu theksoj se Dita Alumni paraqet një ngjarjet të rëndësishme për Universitetin, duke shërbyer si urë lidhëse ndërmjet universitetit dhe komunitetit të tij të ish-studentëve, si dhe duke promovuar sukseset dhe kontributin e tyre në tregun e punës dhe në shoqëri.
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë mbetet i përkushtuar në forcimin e lidhjeve me alumni-n e tij dhe në krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim profesional dhe angazhim institucional.
