U mbajt takimi i bartësve të programit të studimit Bachelor në Juridik (240 ECTS)
Më 12 mars 2026, në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, u mbajt takimi i bartësve të programit të studimit Bachelor në Juridik (240 ECTS).
Takimin e hapi Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. dr. Islam Qerimi, i cili përshëndeti të pranishmit, dhe theksoi rëndësinë e koordinimit të aktiviteteve akademike dhe institucionale për zhvillimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të programit të studimit. Me këtë rast, ai njoftoi pjesëmarrësit se programi i studimit, i akredituar në vitin 2024, ka kaluar me sukses procedurat pasakredituese në vitin 2025 dhe aktualisht ndodhet në procesin e monitorimit nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Në vijim të takimit, Prodekani për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Cilësi, Prof. Asoc. Dr. Arbnor Ajeti, informoi pjesëmarrësit për zhvillimet kryesore lidhur me programin e studimit, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të standardeve të sigurimit të cilësisë dhe përmbushjes së rekomandimeve të dala nga proceset e akreditimit dhe monitorimit.
Gjatë takimit u diskutua edhe për zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë dhe masat e ndërmarra nga Fakulteti Juridik për përmirësimin e vazhdueshëm të programit të studimit. Në këtë kuadër u theksua rëndësia e përditësimit të silabuseve, harmonizimit të rezultateve të të nxënit me përmbajtjen e lëndëve, avancimit të metodave të mësimdhënies dhe vlerësimit, si dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar përmes aktiviteteve akademike me profesorë vizitorë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua procesit të hartimit të Raportit të Vetëvlerësimit (RVV) për riakreditimin e programit të studimit. Bartësit e programit u dakorduan që të kontribuojnë aktivisht në këtë proces, duke ofruar të dhëna dhe dokumentacion përkatës në kuadër të përgjegjësive të tyre akademike.
Në kuadër të procesit të vetëvlerësimit u theksua gjithashtu rëndësia e përfshirjes së palëve të interesit, duke përfshirë stafin akademik dhe administrativ, studentët, përfaqësuesit e institucioneve juridike dhe të tregut të punës, si dhe rrjetin alumni të të diplomuarve të Fakultetit Juridik.
Gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e përmbylljes periodike të cikleve të sigurimit të cilësisë në bashkëpunim me Zyrën për Sigurimin e Cilësisë në kuadër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, si dhe për përgatitjen dhe sistemimin e dokumentacionit të nevojshëm për procesin e monitorimit nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Në diskutim u trajtuan gjithashtu masa konkrete për përmirësimin e cilësisë së programit të studimit, duke përfshirë forcimin e komponentës praktike të studimeve dhe zhvillimin e bashkëpunimit me institucionet juridike dhe profesionale.
Një pikë e veçantë e takimit iu kushtua qëndrimit akademik të profesoreshës vizitore nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Këlnit, Prof. Dr. Anja Schiemann, e cila gjatë periudhës 02–17 mars 2026 po zhvillon një qëndrim akademik në Fakultetin Juridik të UIBM. Gjatë kësaj periudhe ajo është duke realizuar bashkëligjërata në lëndët e së drejtës penale, në bashkëpunim me Prof. dr. Islam Qerimi, si dhe do të organizojë një punëtori akademike me temë “Inteligjenca Artificiale në Arsimin e Lartë”.
Po ashtu, Dekani i Fakultetit informoi pjesëmarrësit për vazhdimin me sukses të realizimit të praktikës profesionale të studentëve të juridikut në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, si dhe në degët e saj në Vushtrri dhe Skenderaj, duke theksuar rëndësinë e kësaj praktike për zhvillimin e aftësive praktike dhe profesionale të studentëve.
Në përfundim të takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet bartësve të programit dhe strukturave të fakultetit për avancimin e cilësisë së studimeve dhe zhvillimin e mëtejmë të programit Bachelor në Juridik.
Takimi i radhës i bartësve të programit është planifikuar të mbahet më 22 prill 2026.
