Profesoresha gjermane Anja Schiemann mban punëtori për “Inteligjencën Artificiale” në mësimdhënie
Në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë u mbajt një punëtori akademike nga profesoresha gjermane Anja Schiemann me temë “Artificial Intelligence in Teaching”, e cila trajtoi çështje aktuale dhe shumë të rëndësishme që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e mësimdhënies universitare. Gjatë kësaj punëtorie, profesoresha Schiemann prezantoi dhe diskutoi me pjesëmarrësit disa nga sfidat dhe mundësitë që sjell përdorimi i inteligjencës artificiale në arsimin e lartë. Në veçanti, ajo trajtoi pyetje dhe dilema praktike me të cilat përballen profesorët dhe studentët sot, siç janë: cilat mjete mund të përdoren për të identifikuar punimet e prodhuara me inteligjencë artificiale, kur përdorimi i saj mund të konsiderohet si tentativë mashtrimi akademik, si dhe në çfarë mënyre inteligjenca artificiale mund të përdoret në mënyrë konstruktive për përgatitjen e ligjëratave dhe zhvillimin e materialeve mbështetëse për mësimdhënie.
Një pjesë e veçantë e punëtorisë iu kushtua temës së plagjiaturës dhe identifikimit të punimeve të prodhuara me inteligjencë artificiale, ku u diskutuan qasje dhe mjete të ndryshme për ruajtjen e integritetit akademik në institucionet e arsimit të lartë. Gjithashtu u trajtuan mënyrat praktike se si inteligjenca artificiale mund të integrohet në procesin e mësimdhënies për të mbështetur profesorët në përgatitjen e ligjëratave, hartimin e materialeve didaktike dhe zhvillimin e burimeve shtesë për studentët.
Në këtë aktivitet morën pjesë prorektorja për marrëdhënie me jashtë e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. asoc. dr. Edita Bekteshi, menaxhmenti i Fakultetit Juridik, stafi akademik si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh të Fakultetit Juridik. Punëtoria u ndoq me interes të madh nga pjesëmarrësit dhe u karakterizua nga diskutime të frytshme akademike. Kontribut të veçantë në diskutim dhanë prof. dr. Zahir Çerkini, prorektorja Edita Bekteshi si dhe studentja Ereza Mikushnica, të cilët ngritën çështje dhe perspektiva të rëndësishme lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale në arsimin universitar.
Në përmbyllje të agjendës së vizitës së profesoreshës Schiemann në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, prorektorja Edita Bekteshi dhe dekani i Fakultetit Juridik, prof. dr. Islam Qerimi, i ndanë një mirënjohje profesoreshës Schiemann për kontributin e saj të çmuar në zhvillimin e ligjëratave të përbashkëta me profesorin Islam Qerimi, si dhe për organizimin dhe mbajtjen e punëtorisë mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie.
Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar akademik dhe në avancimin e diskutimeve bashkëkohore mbi përdorimin e teknologjive të reja në procesin e arsimit universitar.


