U mbajt tribunë shkencore për rolin e Isa Boletinit në ndërtimin e shtetit shqiptar
Të entjen në Kullën e Isa Boletinit është mbajtur një tribunë shkencor me rastin e 113 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Historinë, studiues dhe mysafirë nga vendi dhe jashtë kanë folur për rolin e Isa Boletinit në ndërtimin e shtetit të pavarur shqiptar.
E pranishme në këtë organizim ishte edhe prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi Hasani, e cila foli për kontributin e Isa Boletinit në ngritjen e shkollave shqipe. Në këtë kontekst, ajo tha se është thënë dhe shkruar shumë për kontributin e Isa Boletinit në ndërtimin e shtetit shqiptar, por nuk është theksuar sa duhet kontributi në mbështetjen dhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në këtë pjesë të Kosovës.
Ajo tha se janë pyetur shpesh pse Universiteti mban emrin e tribunit popullor, Isa Boletini, pra një luftëtari që nuk ka ditur shkrim dhe lexim. “Po, kjo është e vërtetë, mirëpo ai ka ditur të luftojë edhe për shkollën shqipe dhe ta bëj realitet shkollën shqipe në këtë trevë. Në vitin 1899, Isa Boletini, hapi një shkollë private në pronën e tij në Boletin, ku mësonin fëmijët dhe nipërit e tij, por edhe fëmijët e fshatrave përreth. Shkolla e hapur në kullën e tij, ishte një shenjë e ngritjes së vetëdijes kombëtare”, tha ajo.
Sipas saj, Isa Boletini, kishte vendosur që djemtë dhe nipërit t’i edukonte në shkolla laike, përkundër mentalitetit të kohës. “Tafil Boletini, në kujtimet e veta për jetën dhe veprën e Isa Boletinit, thekson se shkollimi i të rinjve i ishte bërë fiksim. Sipas tij, me mjete të veta kishte ndihmuar edhe për hapjen e shkollës në Koshtovë”, citoi prorektorja Hasani.
Në këtë tribunë shkencore folën edhe prof.dr, Skënder Asani, kryetar i Qendrës Trashëgimore Shpirtërore të Shkupit, prof.dr. Pajazit Hajzeri, kryetar i Degës së Historianëve “ Ali Hadri” në Mitrovicë, stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini etj. Të pranishëm ishin edhe disa drejtorë dhe nxësnës të shkollave të mesme të Mitrovicës.

