UIBM nderohet me mirënjohje për mbështetjen e aktiviteteve kulturore
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemendi XI Albani” në Suedi ka ndarë mirënjohje për drejtuesit e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë për mbështetjen e vazhdueshme dhe krijimin e kushteve për promovimet e librave nga kjo shoqatë. Mirënjohje janë ndarë për rektoren, prof.dr. Nurten Deva, sekretarin e përgjithshëm, Shkumbin Imeri dhe drejtorin për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari.
Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemendi XI Albani” në Suedi, Hysen Ibrahimi, ka falënderuar rektoren me bashkëpunëtorë për kontributin në mbështetjen e veprimtarive kulturore dhe letrare në hapësirat universitare. “Mbështetja e vazhdueshme që i keni dhënë shoqatës përbënë një shembull të shkëlqyer të përgjegjësisë qytetare, dashurisë për kulturën konbëtare dhe përkushtimit ndaj promovimit të vlerave të letërsisë dhe artit shqiptar”.
Rektorja Deva ka falënderuar kryetarin Ibrahimi për mirënjohjet dhe ju ka uruar suksese në veprimtarinë e tyre. “UIBM është në një derë e hapur për mërgimtarët, për krijuesit, për promovimet e librave dhe aktiviteteve të kulturës”, tha ajo.
Pas ndarjes së mirënjohjeve është mbajtur promovimi i librit “Alejna e zgjuar” nga autorja e re, Nejra Cej. Libri u vlerësua si një zë i ri krijues, që premton shumë në botën e krijimtarisë letrare.







