UIBM partner i Balkan International Youth Summit for Peace 2026
Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. Dr. Nurten Deva, priti në takim përfaqësuesit e YSP Balkan, znj. Eljona Icka, Drejtoreshë e YSP Balkan njëkohësisht edhe Koordinatore e OKB-së, IAYSP – EUME,si dhe z. Labinot Çoçaj, Menaxher i Marrëdhënieve me Publikun në YSP Balkan.
Gjatë takimit, Rektorja Prof. Dr. Nurten Deva u njoftua më nga afër për organizimin e Balkan International Youth Summit for Peace 2026, i cili do të mbahet në Mitrovicë nga data 1 deri më 4 tetor 2026.
Ky samit ndërkombëtar do të mbledhë të rinj dhe liderë nga vende të ndryshme të botës, së bashku me përfaqësues të institucioneve, akademisë dhe organizatave të shoqërisë civile. Në fokus të Samitit do të jenë tema të rëndësishme për të rinjtë, paqen, dialogun, bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve në shoqëri.
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë do të jetë partner në organizimin e Balkan International Youth Summit for Peace 2026, duke u ofruar studentëve mundësi për përfshirje dhe pjesëmarrje në aktivitetet e Samitit. Po ashtu, studentët e UIBM-së do të kenë mundësi të marrin pjesë në Samit përmes bursave që do të ofrohen nga YSP Balkan.
Drejtoresha e YSP Balkan, znj. Eljona Icka falënderoj Rektoren Prof. Dr. Nurten Deva për pritjen dhe gatishmërinë e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë për bashkëpunim dhe mbështetje të kësaj iniciative ndërkombëtare.
Nga ana e saj, Rektorja Prof. Dr. Nurten Deva falënderoi përfaqësuesit e YSP Balkan për vizitën dhe prezantimin e iniciativës, duke shprehur gatishmërinë e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë për bashkëpunim gjatë organizimit të Balkan International Youth Summit for Peace 2026.
Ky bashkëpunim paraqet një mundësi të rëndësishme për studentët e UIBM-së që të jenë pjesë e një aktiviteti ndërkombëtar, të krijojnë kontakte të reja dhe të shkëmbejnë përvoja me të rinj dhe liderë nga vende të ndryshme të botës.



