Foto Per Publikim

UIBM pjesë e Konferencës së Rektorëve të Danubit në Universitetin e Ruses në Bullgari

Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. dr. Nurten Deva, së bashku me Prorektorin për Kërkime Shkencore, Prof. asoc. dr. Bahtir Hyseni, morën pjesë në konferencën “Bologna Process in the Danube Region – Rectors’ Policy Dialogue”, e cila u mbajt më 19–20 maj 2026 në Universitetin e Ruses “Angel Kanchev”, në Bullgari.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, ekspertë të Procesit të Bolonjës dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, me qëllim të diskutimit të reformave, sfidave dhe mundësive për avancimin e arsimit të lartë në rajonin e Danubit. Në fokus të dialogut ishin temat që lidhen me zbatimin e angazhimeve të Procesit të Bolonjës, përfshirë kornizat e kualifikimeve, njohjen akademike, sigurimin e cilësisë dhe dimensionin social në arsimin e lartë.

Në kuadër të agjendës së konferencës, u diskutuan perspektivat e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë, prioritetet aktuale të Programit të Punës së Bolonjës, si dhe rezultatet e pritshme në kuadër të zhvillimeve të ardhshme. Po ashtu, u prezantuan praktika dhe përvoja kombëtare nga vende të ndryshme, përfshirë Gjermaninë, Bullgarinë, Rumaninë dhe Austrinë, me theks të veçantë në përmirësimin e zbatimit të reformave, identifikimin e sfidave institucionale dhe shkëmbimin e praktikave të mira.

Një pjesë e rëndësishme e konferencës iu kushtua diskutimit mbi qasjen “System Innovation Lab”, përmes projektit BPLab – Bulgaria, si një instrument strategjik për përshpejtimin e zbatimit të Procesit të Bolonjës në sektorin e arsimit të lartë. Ky diskutim ofroi hapësirë për reflektim mbi mënyrat se si universitetet mund të forcojnë kapacitetet institucionale, të avancojnë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të zhvillojnë politika më efektive në përputhje me standardet evropiane të arsimit të lartë.

Gjatë qëndrimit në Ruse, Rektorja e UIBM-së, Prof. Dr. Nurten Deva, zhvilloi gjithashtu një takim bilateral me Rektoren e Universitetit të Ruses. Në këtë takim, palët u njoftuan më afër me programet akademike dhe kapacitetet institucionale të Universitetit të Ruses, si dhe diskutuan mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm ndërmjet dy universiteteve.

Shperndaj ne: