Forcimi i bashkëpunimit arsimor përmes programit “Fulbright” dhe mbështetjes nga USKEB
Gent Malushaga, Asistent i Mësimdhënies së Gjuhës Angleze në kuadër të Programit Fulbright në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, ka fituar një “Small Grant” nga USKEB (Bordi Amerikan-Kosovar i Shkëmbimeve Arsimore) dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Falë kësaj mbështetjeje të vlefshme, Gent ka pajisur Qendrën Ndërkombëtare të Gjuhëve të Universitetit me ulese/kokerrshilte dhe nje tapet, duke krijuar një hapësirë moderne dhe mikpritëse ku studentët mund të lexojnë, të studiojnë, të bashkëpunojnë dhe të kalojnë kohë cilësore së bashku.
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” është krenar për partneritetin e tij të gjatë dhe të suksesshëm me Programin Fulbright dhe vlerëson lartë mbështetjen e vazhdueshme nga USKEB dhe Ambasada Amerikane në Kosovë. Institucioni ynë shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të sinqertë ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, USKEB-it, si dhe Gent Malushagës për kontributin e çmuar dhe përkushtimin e treguar ndaj universitetit tonë dhe studentëve tanë.
Ky projekt përfaqëson një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit në funksion të arsimit, zhvillimit të studentëve dhe shkëmbimit kulturor e akademik. Ne e çmojmë shumë këtë bashkëpunim dhe shpresojmë që kjo marrëdhënie e suksesshme të vazhdojë dhe të forcohet edhe më tej në të ardhmen.


