Screenshot 2025 12 22 085038

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Universiteti i Firences nënshkruajnë Marrëveshje për Bashkëpunim Shkencor dhe Akademik

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Universiteti i Firences (Itali) kanë nënshkruar një Marrëveshje për Bashkëpunim Shkencor dhe Akademik, me qëllim zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kërkimore.

Marrëveshja është nënshkruar nga Prof. Alessandra Petrucci, Presidente e Universitetit të Firences, dhe Prof. Dr. Nurten Deva, Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, duke reflektuar interesin e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.

Bashkëpunimi fillestar do të zhvillohet në fushën e Gjeoshkencave, përmes Departamentit të Shkencave të Tokës (DST) në Universitetin e Firences dhe Facultetit të Gjeoshkencave në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, me mundësi zgjerimi edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.

Marrëveshja parasheh shkëmbimin e stafit akademik dhe kërkimor, mobilitetin e studentëve për studime dhe kërkime shkencore, realizimin e projekteve të përbashkëta, si dhe organizimin e seminareve, konferencave dhe aktiviteteve të tjera akademike.

Zbatimi dhe koordinimi i aktiviteteve të parashikuara nga kjo marrëveshje do të realizohet nga Prof. Franco Tassi (Universiteti i Firences) dhe Prof. Dr. sc. Sabri Avdullahi (Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë), të cilët do të kujdesen për mbarëvajtjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Marrëveshja synon të kontribuojë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe në krijimin e mundësive të reja akademike për studentët dhe stafin e të dy universiteteve.

 

Shperndaj ne: