Vazhdon puna e Grupit Punues për hartimin e RVV-së për programin Master LL.M. në Konstitucionalizëm dhe Integrim Evropian
Më 24 gusht 2026, në Fakultetin Juridik, nën drejtimin e Prof. Ass. Dr. Zahir Çerkinit, bartës i programit, u zhvillua takimi i radhës i Grupit Punues për hartimin e Raportit të Vetëvlerësimit (RVV) për programin e studimit Master LL.M. në Konstitucionalizëm dhe Integrim Evropian.
Në takim morën pjesë Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, Prodekane për Mësim, Prof. Ass. Dr. Arta Dauti, Prodekani për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Asoc. Dr. Arbnor Ajeti, anëtari i Trupit Këshillëdhënës të Fakultetit, z. Nebi Halili, si dhe përfaqësues të administratës së Fakultetit, znj. Suzana Halilaj dhe z. Bekim Salihu.
Gjatë takimit u shqyrtua ndarja e përgjegjësive për përgatitjen e dokumentacionit të RVV-së, me fokus të veçantë në hartimin dhe harmonizimin e syllabuseve, përzgjedhjen e literaturës akademike dhe përgatitjen e materialeve mbështetëse. Vëmendje e veçantë iu kushtua përcaktimit të rezultateve të të nxënit të programit dhe të lëndëve, në përputhje me nivelin 7 të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe parimet e Kornizës së Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA).
Në funksion të sigurimit të koherencës akademike dhe të cilësisë së programit, u theksua se syllabusët duhet të reflektojnë natyrën e avancuar të studimeve master, të përfshijnë rezultate të të nxënit të orientuara drejt niveleve më të larta të të menduarit sipas taksonomisë së Bloom-it, si dhe të integrojnë në mënyrë të qartë komponentin e hulumtimit shkencor, integritetit akademik dhe literaturës relevante të stafit akademik.
Grupi Punues përcaktoi 30 gushtin 2026 si afat për përfundimin e syllabuseve. Pas përfundimit, dokumentet do t’u përcillen palëve të jashtme të interesit për shqyrtim dhe për marrjen e sugjerimeve e rekomandimeve, në funksion të sigurimit të relevancës dhe cilësisë së programit.
Takimi paraqet një hap të rëndësishëm në procesin e rishikimit dhe avancimit të programit Master LL.M. në Konstitucionalizëm dhe Integrim Evropian, me synim sigurimin e përputhshmërisë së tij me standardet e cilësisë në arsimin e lartë, kërkesat e akreditimit dhe zhvillimet bashkëkohore në fushën e së drejtës kushtetuese dhe integrimit evropian.
