Vizitë e ekspertit gjerman në FTU: Ligjëratë për teknologjinë e gjizës
Më 20.01.2026, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU) pati kënaqësinë të mirëpresë ekspertin gjerman Prof. Dr. Phil. Jodef Frohlich, përfaqësues i organizatës prestigjioze Senior Expert Service (SES). Me këtë rast, Prof. Frohlich mbajti një ligjëratë profesionale mbi teknologjinë e përftimit të gjizës, e cila u ndoq me interes nga stafi akademik dhe studentët.
Gjatë ligjëratës, ai prezantoi në mënyrë të detajuar procesin teknologjik të prodhimit të gjizës, duke përfshirë të gjitha fazat, nga pranimi dhe kontrolli i lëndës së parë deri te produkti final. Po ashtu, Prof. Frohlich trajtoi aspektet e analizave sensorike të gjizës, si dhe etiketimin e produkteve sipas rregulloreve dhe standardeve evropiane, duke ndarë përvoja dhe praktika bashkëkohore nga industria ushqimore.
Profesori i lëndës “Teknologjia e përpunimit të qumështit”, Prof. ass. dr. Arbër Hyseni, shprehu mirënjohjen e tij për Prof. Dr. Phil. Jodef Frohlich për vizitën dhe kontributin profesional, si dhe falënderoi udhëheqësin e organizatës IADK, z.Zenel Bunjaku, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
