Vizitë nga stafi akademik i Universitetit të Tiranës në kuadër të STSM
Fakulteti Ekonomik në kuadër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, në kuadër të programit Short-Term Scientific Mission (STSM), pjesë e aksionit CA22110 “Cooperation, Development and Cross-Border Transfer of Industrial Symbiosis among Industry and Stakeholders (LIAISE)”, mirëpriti Prof. Dr. Besa Shahini nga Universiteti i Tiranës, përkatësisht nga Fakulteti Ekonomik. Gjatë kësaj vizite, Prof. Dr. Besa Shahini realizoi aktivitetet e planifikuara akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, në përputhje të plotë me planin e miratuar në kuadër të STSM.
Aktivitetet u zhvilluan në funksion të avancimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërinstitucional, duke kontribuar në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave në fushat relevante të ekonomisë dhe menaxhimit. Përveç angazhimeve të parapara, gjatë qëndrimit të saj u zhvilluan edhe takime me menaxhmentin e Fakultetit Ekonomik, si dhe diskutime të zgjeruara me stafin akademik. Këto takime u karakterizuan nga një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese, me fokus të veçantë në hartimin e programit të ri studimor në nivel master “Menaxhment dhe Biznes Internacional”, i cili aktualisht ndodhet në fazën e zhvillimit dhe aplikimit pranë Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.
Menaxhmenti i Fakultetit Ekonomik shpreh mirënjohje të veçantë për Prof. Dr. Besa Shahini për kontributin e saj të vlefshëm dhe sugjerimet konstruktive, veçanërisht në aspektin e komponentës së kërkimit shkencor, të cilat pritet të ndikojnë në rritjen e cilësisë akademike dhe zhvillimin e mëtejmë institucional.

