1j

Vizitë studimore e stafit të Fakultetit Juridik të UIBM në Universitetin Evropian të Tiranës

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, stafi akademik i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) realizoi një vizitë studimore në Fakultetin e Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit Evropian të Tiranës (UET). Kjo vizitë u organizua si rezultat i iniciativës së përbashkët të dekanit të Fakultetit Juridik të UIBM, prof. dr. Islam Qerimi dhe dekanit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit Evropian të Tiranës (UET), prof. asoc. dr. Ervis Iljazaj.

Gjatë vizitës, profesorët e UIBM mbajtën ligjërata të specializuara për studentët dhe stafin akademik të UET, duke trajtuar tema nga fusha të ndryshme të së drejtës në të cilat ata kanë përgatitje dhe përvojë të thellë profesionale. Këto ligjërata u pritën me interes të madh dhe u vlerësuan si një kontribut i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit akademik dhe shkëmbimin e njohurive mes dy fakulteteve. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre, profesorët vizitorë u pajisën me certifikata për pjesëmarrje dhe ligjërim.

Në kuadër të kësaj vizite, dekani Qerimi dhe stafi vizitor nga UIBM u pritën edhe nga rektorja e Universitetit Evropian të Tiranës, prof. dr. Drita Kruja. Ajo u shprehu mirëseardhjen kolegëve nga UIBM dhe përgëzoi nismën për forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar. Gjatë takimit, rektorja Kruja ofroi qasje për stafin e UIBM në bibliotekën digjitale të UET, e pasur me literaturë bashkëkohore në fushën e drejtësisë, si dhe propozoi nisma të tjera për bashkëpunim që pritet të zbatohen duke filluar nga semestri i ardhshëm.

Vizita përfundoi me një tur informues në ambientet e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit Evropian të Tiranës (UET), ku stafi i UIBM pati mundësi të njihej më nga afër me resurset akademike dhe infrastrukturën e bibliotekës së këtij institucioni.

 

1j
Shperndaj ne: