Gjykim i simuluar nga studentët e Fakultetit Juridik
Të mërkurën, në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), u mbajt një gjykim i simuluar me pjesëmarrjen aktive të dy grupeve studentësh, ku u trajtua një rast nga fusha e së drejtës penale. Ky aktivitet u organizua nga Fakulteti Juridik, në bashkëpunim me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë në Kosovë – përfshirë gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë – ndërsa të pranishëm ishin edhe anëtarët e menaxhmentit të Fakultetit, staf akademik dhe studentë.
Dekani i Fakultetit Juridik, prof. dr. Islam Qerimi, falënderoi bashkëorganizatorët dhe pjesëmarrësit, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla në formimin profesional të studentëve. “Fakulteti Juridik po ndërmerr hapa të rëndësishëm drejt reformimit tërësor të programeve studimore, me qëllim të ofrimit të një kualifikimi akademik dhe trajnimi profesional në përputhje me standardet bashkëkohore të arsimit universitar,” u shpreh ai. Ai shtoi se gjykimet e simuluara janë tashmë një traditë e mirë e Fakultetit, dhe se sukseset e studentëve tanë janë vlerësuar edhe në garat jashtë Universitetit, ku shpesh kanë zënë vendet e para.
Pas përfundimit të gjykimit të simuluar, paneli vlerësues i përbërë nga Shpëtim Peci (prokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë), Kreshnik Kaçiu (gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë) dhe Bahtir Troshupa (avokat), shpalli fituesit e këtij aktiviteti, si në nivel grupor ashtu edhe për rolet individuale. Paneli përgëzoi studentët për njohuritë dhe aftësitë e demonstruara në fushën e të drejtës penale dhe procedurale.
Në përmbyllje, paneli vlerësues ndau certifikata dhe mirënjohje për fituesit, ndërsa anëtarët e panelit vlerësues u nderuan gjithashtu me mirënjohje nga dekani i Fakultetit Juridik, prof. Dr. Islam Qerimi për kontributin e tyre në këtë aktivitet edukativo-profesional.
Një mirënjohje e veçantë iu nda edhe asistentit LL.M Xhemajl Veliqi, PhD ©, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të vazhdueshëm në zhvillimin e shkathtësive profesionale të studentëve, përmes mbështetjes dhe udhëheqjes së demonstrimeve praktike të rasteve nga vetë studentët.







