J1

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, mori pjesë në tryezën shkencore për ndikimin e mediave sociale në perceptimin e drejtësisë

Dekani i Fakultetit Juridik të, Prof. Dr. Islam Qerimi, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temën “Ndikimi i Mediave Sociale në Perceptimin e Drejtësisë”, e organizuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Kjo tryezë akademike dhe profesionale mblodhi përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, profesorë universitarë, ekspertë të sigurisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studentë, me qëllim të diskutimit të ndikimit të mediave sociale në formësimin e opinionit publik dhe besimit ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Gjatë diskutimeve u trajtuan dimensionet juridike, institucionale dhe shoqërore të ndikimit të rrjeteve sociale, duke u fokusuar në sfidat që lidhen me dezinformimin, lajmet e rreme dhe fenomenin e “gjykimit publik”. Nga perspektiva shkencore dhe akademike, rezultatet e hulumtimit evidentuan se mediat sociale kanë rol të dyfishtë në raport me drejtësinë: ato kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjes qytetare, por njëkohësisht mund të ndikojnë negativisht në integritetin e proceseve gjyqësore përmes manipulimit të informacionit dhe krijimit të perceptimeve të paragjykuara publike.

Në kuadër të tryezës u theksua rëndësia e forcimit të edukimit medial dhe juridik, si dhe nevoja për zhvillimin e mekanizmave institucionalë që garantojnë balancën ndërmjet lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së paanshmërisë së drejtësisë.

Bartës të projektit ishin Prof. Asoc. Dr. Enver Buçaj nga Fakulteti Juridik dhe Prof. Asoc. Dr. Naim Baftiu nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, në bashkëpunim me studentët Ledian Berisha, Anida Duja dhe Bardha Elshani.

J2
Shperndaj ne: