Delegacioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë vizitoi UIBM
Prorektori për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, Prof. Dr. Sabri Avdullahi, priti në një takim pune një delegacion të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të udhëhequr nga Prof. Dr. Rrapo Ormeni. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta akademike. Po ashtu, u trajtuan çështje që lidhen me organizimin e konferencave shkencore, shkëmbimin e përvojave akademike dhe nxitjen e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore.
Në takim morën pjesë edhe profesorë nga Fakulteti i Gjeoshkencave, të cilët kontribuuan në diskutimet lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në fushën e gjeoshkencave, realizimin e studimeve të përbashkëta dhe shkëmbimin e përvojave profesionale e shkencore.
Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe shkencore shqiptare, duke theksuar se ky bashkëpunim do të ndikojë në avancimin e kërkimit shkencor, rritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe krijimin e mundësive të reja për stafin akademik dhe studentët.
Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe miqësore, me gatishmëri të ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.
