B2

Një delegacion i UIBM qëndroi për vizitë pune në Universitetin “UCT”, Pragë

Me ftesë të Universitetit UCT Prague një delegacion i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, i përbërë nga rektorja Prof. Dr. Nurten Deva, Shefi i Departamentit të Materialeve dhe Metalurgjisë Prof. Ass. Dr. Bastri Zeka dhe përfaqësuesi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar Abdullah Sadiku, realizuan një vizitë akademike në UCT Pragë. Gjatë kësaj vizite u zhvilluan një sërë takimesh pune në tri nivele institucionale.

Në nivelin e departamenteve akademike, delegacioni zhvilloi takime me përfaqësuesit e Departamentit të Metaleve dhe Korrozionit, të udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Bastri Zeka dhe Prof. Dr. Jan Stoulil, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit shkencor dhe akademik ndërmjet Departamentit të Materialeve dhe Metalurgjisë të Universitetit të Mitrovicës dhe Departamentit të Metaleve dhe Korrozionit të UCT Prague.

Fokusi i diskutimeve ishte: zhvillimi i projekteve të përbashkëta shkencore dhe kërkimore, mobiliteti i stafit akademik dhe studentëve, krijimi i programeve të përbashkëta dhe duale të studimit ne programin Materiale dhe Metalurgji, mundësitë për studime të doktoratës (PhD) për studentët e Programit Materiale dhe Metalurgji në bashkëpunim me UCT Prague.

Në nivelin drejtues universitar, Rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Prof. Dr. Nurten Deva, zhvilloi takim me Vice-Rector for External Relations and Communication, Prof. Dr. Pavel Matějka, ku u diskutuan mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve dhe krijimin e partneriteteve afatgjata në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Vizita përfshiu gjithashtu prezantimin e aktiviteteve akademike dhe kërkimore nga dy zyrat për bashkëpunim ndërkombëtar të të dy universiteteve,  Abdullah Sadiku nga Universiteti i Mitrovicës dhe Filip Faltejsek nga UCT Prague. Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë për mobilitet të stafit dhe studentëve, aplikime të përbashkëta në programe ndërkombëtare dhe zgjerimin e bashkëpunimit institucional.

Këto aktivitete paraqesin një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Programit të Materialeve dhe Metalurgjisë dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Mitrovicës, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve në nivel drejtues, ndërkombëtar dhe akademik.

B1
Shperndaj ne: