Fakulteti Juridik i UIBM-së dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi
Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë ka arritur Memorandum Bashkëpunimi me Shërbimin Sprovues të Kosovës, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit institucional, akademik dhe profesional në fushën juridike, penale, rehabilituese dhe sociale.
Memorandumi u nënshkrua nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. dr. Islam Qerimi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës, z. Astrit Sh. Tahiri.
Ky memorandum synon krijimin e mundësive të reja për zhvillimin profesional të studentëve përmes organizimit të praktikës profesionale në kuadër të Shërbimit Sprovues të Kosovës, si dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe shkencore.
Në kuadër të bashkëpunimit, palët do të angazhohen në organizimin e trajnimeve, seminareve, konferencave shkencore dhe aktiviteteve profesionale, si dhe në shkëmbimin e përvojave në fushën e drejtësisë penale dhe ekzekutimit të masave dhe dënimeve alternative.
Memorandumi parasheh gjithashtu përfshirjen e ekspertëve dhe zyrtarëve të Shërbimit Sprovues në aktivitete akademike dhe mbështetjen e projekteve kërkimore-shkencore që lidhen me rehabilitimin, risocializimin dhe riintegrimin e personave ndaj të cilëve janë shqiptuar masa apo dënime alternative.
Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjes ndërmjet institucioneve akademike dhe institucioneve të drejtësisë, duke kontribuar në promovimin e politikave moderne rehabilituese dhe zhvillimin profesional të studentëve të Fakultetit Juridik.
