Studentët e UIBM morën pjesë në “Digi Camp dhe Digital Skills Festival 2026|
Studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë ishin pjesë e Digi Camp dhe Digital Skills Festival 2026, i cili u mbajt më 21-23 maj 2026 në Innovation and Training Park Prizren. Përmes aktiviteteve të ndryshme, punëtorive, sesioneve praktike dhe mundësive të rrjetëzimit, studentët patën rastin të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre profesionale, të punojnë në ekipe dhe të shkëmbejnë përvoja me studentë dhe pjesëmarrës tjerë.
Në kuadër të festivalit, u mbajt edhe JunctionX Regional Hackathon, një garë intensive që bashkoi studentë dhe të rinj inovatorë për të krijuar zgjidhje konkrete për sfida të ndryshme. UIBM u përfaqësua me 6 grupe studentore, të cilat demonstruan ide kreative, përkushtim dhe punë ekipore. Një nga grupet, i përbërë nga Ardit Avdiu, Albion Hasani, Arlind Jashari, Ermir Gerguri dhe Norit Qyqalla, u rendit në mesin e pesë finalistëve të garës.
Pjesëmarrja e studentëve u mbështet nga stafi akademik i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, përfshirë Prof. Ass. Dr. Berat Ujkani, Prodekan për Cilësi dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Ass. Agon Bajgora, Shef i Departamentit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, dhe Prof. Ass. Dr. Jakup Fondaj, të cilët kontribuuan në koordinimin dhe mbështetjen e studentëve gjatë aktivitetit.
Prof. Ujkani, Prodekan për Cilësi dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në FIMK, theksoi:
“Puna e studentëve tanë në hackathon është dëshmi e potencialit të madh që kanë ata në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit. Si FIMK dhe si universitet, do të vazhdojmë të mbështesim fuqishëm pjesëmarrjen e studentëve në aktivitete të tilla, sepse aty formohen jo vetëm aftësitë teknike, por edhe vetëbesimi, kreativiteti dhe kultura e bashkëpunimit që kërkon tregu modern i punës.”
Ky është viti i tretë radhazi që UIBM merr pjesë në këtë ngjarje. Si anëtar i Crosscience dhe një nga partnerët e Digi Camp dhe Digital Skills Festival 2026, UIBM ka mbështetur aktivisht aktivitetet që synojnë fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e mundësive të reja për studentët në fushën e teknologjisë, si dhe iniciativat që lidhin arsimin e lartë me inovacionin, teknologjinë dhe nevojat reale të shoqërisë.
Digi Camp dhe Digital Skills Festival 2026 është bashkëorganizuar nga Zyra e Kryeministrit, Ministria për Digjitalizim dhe Administratë Publike dhe ITP Prizren, në kuadër të platformës Crosscience. Aktiviteti është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), ndërsa është zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe UNICEF Kosovo.



