Default

Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë për herë të tretë bashkëorganizatorë të Kongresit Ndërkombëtar “From Research to Application – Nga kërkimi shkencor deri te aplikimi”

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm akademik dhe institucional, Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë do të bashkëorganizojnë Kongresin Ndërkombëtar “From Research to Application Nga kërkimi shkencor deri te aplikimi”, i cili do të mbahet më 18 dhe 19 nëntor 2026 në Universitetin e Tetovës.
Ky bashkëorganizim përfaqëson një dëshmi të mëtejshme të bashkëpunimit të frytshëm dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy Fakulteteve Juridike, i cili është promovuar dhe konkretizuar përmes angazhimit të dy dekanëve, Prof. Dr. Safet Emruli, Dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, dhe Prof. Dr. Islam Qerimi, Dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve është ndërtuar mbi një vizion të përbashkët për avancimin e arsimit juridik, zhvillimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e përvojave akademike dhe krijimin e mundësive të reja për profesorët, studiuesit dhe studentët. Bashkëorganizimi i Kongresit Ndërkombëtar përbën një hap të rëndësishëm në konkretizimin e këtij vizioni dhe në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërinstitucionale.
Tema e Kongresit, “From Research to Application – Nga kërkimi shkencor deri te aplikimi”, pasqyron një nga kërkesat themelore të akademisë moderne: që dija e prodhuar përmes kërkimit shkencor të mos mbetet vetëm në dimensionin teorik, por të gjejë rrugën drejt zbatimit konkret dhe të ndikojë në zhvillimin e shoqërisë.
Në fushën juridike, kjo lidhje ndërmjet kërkimit dhe praktikës është veçanërisht e rëndësishme. Zhvillimet e vazhdueshme në shoqëri, teknologji, ekonomi dhe marrëdhëniet ndërkombëtare krijojnë sfida të reja për sistemet juridike dhe institucionet. Për këtë arsye, kërkimi shkencor juridik duhet të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin e teorisë, por edhe në avancimin e legjislacionit, praktikës juridike, politikave publike dhe funksionimit të institucioneve.
Kongresi synon të krijojë një platformë të gjerë ndërkombëtare ku kërkimi shkencor, përvoja akademike dhe praktika profesionale takohen, duke mundësuar shkëmbimin e ideve, prezantimin e rezultateve të reja shkencore dhe diskutimin e perspektivave të ardhshme. Në Kongres do të trajtohen tema nga fusha e Drejtësisë, Kriminalistikës, Politikës, Medias, Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun, duke krijuar hapësirë për qasje multidisiplinare dhe për dialog ndërmjet studiuesve dhe profesionistëve nga vende dhe sisteme të ndryshme.
Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë shprehin përkushtimin e tyre për të vazhduar dhe zgjeruar këtë bashkëpunim, me synim forcimin e pozitës së tyre si institucione aktive në zhvillimin e shkencës juridike dhe në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit akademik në rajon dhe më gjerë.

Shperndaj ne: