Fushata promovuese për programet e studimit në UIBM vazhdoi në shkollat e mesme të Vushtrrisë dhe Obiliqit
Ka vazhduar fushata promovuese për programet e studimit në vitin akademik 2026/27 në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Në këtë kuadër të martën janë zhvilluar aktivitete të tilla në shkollat e mesme të Vushtrrisë dhe Obiliqit.
Në këto vizita nëpër shkolla të realizuara nga ekipe të kombinuara me staf akademik, administrativ dhe studentë, janë shfaqur video promovuese dhe janë shpërndarë fletushka për programet dhe kushtet e studimit. Gjithashtu maturantët janë njoftuar edhe për kampusin universitar, bursat universitare, stafin akademik, mundësitë e shkëmbimeve nëpër universitete vendore dhe ndërkombëtare etj.
Të mërkurën fushata do të vazhdojë në shkollat e mesme të Skënderajt dhe Drenasit. Menaxhmenti i UIBM falënderon drejtoritë komunale, drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit për qasjen korrekte dhe bashkëpunimin.








