Katër anëtarë të stafit akademik nga FGJ po realizojnë një mobilitet në “University of Chemical Technology and Metallurgy – UCTM”, Sofje, Bullgari
Një grup prej katër anëtarësh të stafit akademik nga Fakulteti i Gjeoshkencave nw Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), po realizon një mobilitet akademik në kuadër të programit Erasmus+ në “University of Chemical Technology and Metallurgy – UCTM”, Sofje, Bullgari.
Në këtë mobilitet po marrin pjesë dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Prof. Assoc. Dr. Festim Kutllovci, Prof. Dr. Zarife Bajraktari Gashi, Prof. Assoc. Dr. Fatos Rexhepi dhe Asistentja Msc. Mimoza Kovaçi Azemi cand. PHD Ky mobilitet synon forcimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet UIBM dhe UCTM, shkëmbimin e përvojave profesionale, si dhe identifikimin e mundësive për iniciativa të reja në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Gjatë qëndrimit në UCTM, stafi akademik ka zhvilluar ligjërata në programet përkatëse studimore, ka marrë pjesë në sesione të përbashkëta me kolegët e UCTM dhe ka realizuar takime me stafin akademik të departamenteve të ndryshme të universitetit pritës. Po ashtu, janë prezantuar materiale kërkimore dhe janë shkëmbyer praktika bashkëkohore në fushën e shkencave inxhinierike, teknologjisë kimike, materialeve dhe metalurgjisë.
Në vijim të aktivitetit, profesorët kanë diskutuar mundësi konkrete për zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbime të studentëve dhe stafit akademik, përfshirjen në laboratorë dhe qendra kërkimore të avancuara dhe zgjerimin e bashkëpunimeve në kuadër të platformave ndërkombëtare akademike. Ky mobilitet përbën një hap të rëndësishëm drejt thellimit të partneritetit ndërmjet dy institucioneve dhe krijimit të urave të reja të bashkëpunimit që do të kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe shkencore të Fakultetit të Gjeoshkencave.
UIBM mbetet i përkushtuar të avancojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të krijojë mundësi të reja për stafin dhe studentët tanë në mjedise akademike evropiane.


