Mbahet takimi i Komitetit Drejtues në kuadër të projektit Erasmus+ STRUCTUVET në Prishtinë
Përfaqësuesit e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof.dr. Valdet Gjinovci, koordinator lokal i projektit, dhe Prof.ass.dr. Arbër Hyseni, anëtar i Komitetit Drejtues të projektit nga UIBM, morën pjesë në takimin e Komitetit Drejtues dhe punëtorinë ndërkombëtare të organizuar në kuadër të projektit Erasmus+ STRUCTUVET, të mbajtura më 12–13 nëntor 2026 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ky aktivitet dyditor mblodhi përfaqësues të universiteteve partnere, ekspertë akademikë, profesionistë të fushës së veterinarisë dhe përfaqësues të institucioneve relevante, me qëllim të shqyrtimit të progresit të projektit, shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve partnere në fushën e arsimit të lartë veterinar në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë takimit të Komitetit Drejtues u diskutua për ecurinë dhe koordinimin e projektit, zhvillimin dhe reformimin e kurrikulave, trajnimin e stafit akademik, zhvillimin e mjeteve digjitale për mësimdhënie dhe prioritetet për periudhën e ardhshme të zbatimit. Në veçanti, u shqyrtua progresi i arritur në pesë pakot punuese të projektit dhe aktivitetet që synojnë realizimin e objektivave të përcaktuara.
Në kuadër të punëtorisë ndërkombëtare me temën “Arsimi veterinar në një udhëkryq: Sfidat, inovacioni dhe veterineri i së ardhmes”, diskutimet u përqendruan në dy fusha kryesore: reformimin e kurrikulave veterinare, akreditimin EAEVE/ESEVT dhe harmonizimin me standardet evropiane, si dhe zhvillimin e arsimit veterinar të orientuar drejt praktikës, përmes laboratorëve të aftësive, simulimeve dhe përgatitjes klinike të studentëve.
Në kuadër të këtij projekti, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa Boletini” do të angazhohet në rishikimin dhe përditësimin e kurrikulës dhe përmbajtjes së lëndëve përkatëse, me synim integrimin e njohurive bashkëkohore, forcimin e qasjes ndërdisiplinore dhe harmonizimin e programeve mësimore me standardet dhe praktikat evropiane. Ky proces synon gjithashtu të përmirësojë ndërlidhjen e arsimit teorik me zbatimin praktik, veçanërisht në fushat që ndërlidhen me sigurinë ushqimore dhe qasjen “One Health”.
Projekti STRUCTUVET synon modernizimin e arsimit veterinar në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, përmes reformimit të kurrikulave, përditësimit të metodave të mësimdhënies, përmirësimit të trajnimit praktik dhe klinik, si dhe integrimit të qasjes “One Health” dhe shëndetit publik veterinar. Një ndër objektivat kryesore është harmonizimi i programeve të studimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve publike dhe organizatave profesionale.
Pjesëmarrja e Universitetit “Isa Boletini” në këto aktivitete kontribuon në shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare, avancimin e kapaciteteve akademike dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë, duke krijuar mundësi për zhvillimin dhe modernizimin e programeve akademike.


