11c3ae0b C133 45c7 B3a8 D401bd974627

UIBM përfaqësohet në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të Universitetit “Shën Kliment Ohridski” në Manastir

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u përfaqësua nga dy profesorë të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, Prof. Asoc. Dr. Flora Zabërgja dhe Prof. Dr. Fatos Rexhepi, në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti “Shën Kliment Ohridski” – Manastir (UKLO), me fokus në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (UKLO Annual International Scientific Conference). Konferenca u mbajt më 13–14 nëntor 2026, në Manastir, Maqedonia e Veriut.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. Asoc. Dr. Flora Zabërgja prezantoi punimin shkencor me titull “Assessment of Heavy Metal Soil Pollution Using Pollution Indicators: A Case Study in the Trepça Industrial Zone, Mitrovica, Kosova”. Studimi trajton vlerësimin e nivelit të kontaminimit të tokës me metale të rënda në zonën industriale të Trepçës, përmes aplikimit të indikatorëve të ndryshëm të ndotjes, si dhe analizimin e shpërndarjes dhe burimeve të mundshme të kontaminimit. Rezultatet ofrojnë të dhëna të rëndësishme shkencore për vlerësimin e gjendjes mjedisore, hartimin e masave për monitorimin dhe rehabilitimin e tokave të kontaminuara, përfshirë aplikimin e teknikave të fitorehabilitimit.

Ndërkaq, Prof. Dr. Fatos Rexhepi prezantoi punimin shkencor me titull “Quantitative Detection of Fish Oil Adulteration in Ternary Oil Mixtures Using ATR-FTIR Spectroscopy and Chemometrics”. Ky studim prezanton një qasje analitike të shpejtë dhe pa përdorimin e reagentëve kimikë, të bazuar në spektroskopinë ATR-FTIR dhe metodat kemometrike, për përcaktimin sasior të falsifikimit të vajit të peshkut në përzierjet treshe të vajrave. Qasja e propozuar paraqet rëndësi për kontrollin e cilësisë, garantimin e autenticitetit të produkteve ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Pjesëmarrja e profesorëve të UIBM-së në këtë konferencë ndërkombëtare dëshmon angazhimin e universitetit në avancimin e kërkimit shkencor, promovimin e rezultateve të punës akademike dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Njëkohësisht, kjo pjesëmarrje kontribuon në rritjen e dukshmërisë akademike dhe shkencore të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë në arenën ndërkombëtare.

8c379d68 E2ed 4a76 96fd Ba2c7dfe5a4c
Shperndaj ne: